Koment: TetovaSot
Ka momente kur një titull i madh humb shkëlqimin e tij për shkak të emrit që e merr, por edhe për shkak të pyetjes që mbetet pas ceremonisë se a ishte vërtet njeriu i duhur për këtë nderim? Dhe Përgjigjen e dijnë të gjithë e mori, por nuk e meritoi!
“Doktor Honoris Causa” nuk është një dhuratë institucionale, nuk është një mirënjohje formale dhe nuk duhet të jetë një shpërblim për afërsi, për histori bashkëpunimesh apo për raporte që i përkasin së kaluarës. Ky titull është një nga vlerësimet më të larta që një universitet mund t’i japë një individi. Prandaj kërkon jo vetëm respekt për emrin, por mbi të gjitha respekt për meritën.
Vendimi i UEJL-së për t’ia dhënë këtë titull Abdylmenaf Bexhetit ka hapur një debat të madh në opinion. Jo sepse universitetet nuk duhet të nderojnë njerëz të suksesshëm, por sepse çdo nderim i madh kërkon një arsyetim edhe më të madh. Abdylmenaf Bexheti del se nuk kishte asnjë arsye ta merrte këtë cmim që vetëm UEJL e di pse e ndau atë!
Pyetja që shumëkush sot e shtron është: çfarë kontributi historik dhe i jashtëzakonshëm për UEJL-në u shpërblye me këtë titull Abdylmenafi?
Një titull matet me gjurmën që dikush lë pas. Matet me atë që ka ndërtuar, me atë që ka ndryshuar, me atë që ka sjellë përpara një institucion dhe një shoqëri. Ai kur e drejtoi UEJL-në nuk la asnjë gjurmë aty perveçse i morri më shumë këtij Universiteti dhe nuk i dha asgjë.
Në këtë rast, shumë njerëz mendojnë se bilanci mes asaj që është dhënë dhe asaj që është marrë nuk është i barabartë. Se një institucion si UEJL-ja duhet të jetë shumë më i kujdesshëm kur vendos të japë një titull që duhet të përfaqësojë majën e mirënjohjes akademike.
Ekziston një dhimbje e vjetër në shoqëritë tona, shumë profesorë, studiues, pedagogë dhe njerëz të arsimit që kanë punuar me dekada, që kanë edukuar breza të tërë dhe që kanë ndërtuar institucione në heshtje, mbeten pa vëmendjen që meritojnë.
Ndërkohë, titujt më të lartë shpesh shkaktojnë pyetje kur publiku nuk sheh qartë lidhjen mes nderimit dhe meritës.
Një universitet nuk fitohet vetëm me ceremoni. Fitohet me besim. Dhe besimi ndërtohet kur çdo vendim i madh është i kuptueshëm, i argumentuar dhe i mbrojtshëm para shoqërisë.
Fakti që edhe aktorë të rëndësishëm politikë zgjodhën të mos jenë pjesë e kësaj ceremonie, tregon se ky nderim nuk kaloi pa debat dhe pa pikëpyetje publike. Abdylmenafin e refuzuan të gjithë përveç UEJL-së dhe BDI-së.
Debati është se a po e ruajmë vlerën e titujve të mëdhenj, apo po i zhvlerësojmë duke i dhënë pa një konsensus të qartë moral dhe akademik?
Sepse në fund, një universitet nuk nderohet nga numri i titujve që shpërndan. Nderohet nga drejtësia me të cilën i shpërndan ato.
Një titull “Honoris Causa” nuk e bën të madh një njeri. Përkundrazi.
Është njeriu ai që duhet ta bëjë të madh titullin. Por në këtë rast Abdylmenafi i vogël u shpërblye me një titull të madh dhe ndoshta edhe ai vetë e di se nuk e meritonte.
Dhe kur një shoqëri fillon të pyesë nëse një çmim i madh iu dha njeriut të vogël, atëherë problemi nuk është vetëm te ai që e mori, por edhe te ne që heshtim!
Merita nuk kërkon dekorata. Por dekoratat kërkojnë meritë.