Rreth 350 fëmijë palestinezë të burgosur në Izrael përballen me torturë dhe uri

Rreth 350 fëmijë palestinezë po mbahen në burgjet izraelite, ku përballen me torturë, uri dhe privim nga kujdesi mjekësor, arsimimi dhe vizitat familjare, njoftuan sot dy organizata palestineze për të drejtat e të burgosurve, transmeton Anadolu.

Komisioni Palestinez për Çështjet e të Burgosurve dhe Ish-të Burgosurve dhe Shoqata e të Burgosurve Palestinezë publikuan një deklaratë të përbashkët me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, e cila shënohet çdo vit më 20 nëntor.

Organizatat bënë të ditur se aktualisht në burgjet izraelite mbahen rreth 350 fëmijë palestinezë, përfshirë tri vajza. Sipas tyre, që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, në tetor të vitit 2023, janë regjistruar më shumë se 2.000 arrestime të fëmijëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor.

Dhjetëra fëmijë nga Gaza janë ndaluar gjatë luftës, por zhdukjet me forcë dhe kufizimet e vizitave e kanë bërë të pamundur përcaktimin e numrit të tyre, vendndodhjes dhe kushteve në të cilat mbahen, thuhet në deklaratë. Organizatat theksuan se forcat izraelite arrestojnë fëmijë në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë bastisjeve nëpër shtëpi, në pikat e kontrollit ushtarak, në rrugë dhe në shkolla ose pranë tyre.

Dhjetëra fëmijë palestinezë mbahen në paraburgim administrativ pa akuza, ndërsa zgjatjet e përsëritura të këtij paraburgimi ua mohojnë të drejtën për t’u mbrojtur dhe i lënë përballë burgimit pa afat të caktuar, thanë organizatat.

Sipas deklaratës, fëmijët ndonjëherë lidhen dhe rrihen që në momentin e arrestimit, përpara se t’u nënshtrohen marrjeve në pyetje për orë të tëra, pa praninë e një avokati ose të ndonjë familjari si dhe privohen nga gjumi dhe pushimi.

“Fëmijët mbahen në dhoma të mbipopulluara, pa ajrosje dhe kujdes të duhur shëndetësor si dhe privohen nga trajtimi mjekësor, arsimimi dhe vizitat familjare”, thuhet në deklaratë. Sipas organizatave, për shkak të mbipopullimit dhe mungesës së mjeteve higjienike, mes të burgosurve janë përhapur sëmundje të lëkurës, përfshirë zgjebën. Ato theksuan se trajtimi mjekësor vonohet dhe barnat e përshtatshme u mohohen të burgosurve.

Organizatat shtuan se fëmijët përballen edhe me uri, gjë që ndikon rëndë në shëndetin dhe gjendjen e tyre fizike. Ato veçuan rastin e Walid Khaled Ahmadit, një fëmijë nga Silwadi, në lindje të Ramallahut, i cili vdiq në burgun izraelit “Megiddo” në mars të vitit 2025.

Sipas organizatave, autopsia zbuloi dobësim të rëndë të trupit, mungesë të masës muskulore dhe të dhjamit trupor, duke identifikuar urinë dhe dehidratimin si ndër shkaqet e vdekjes së tij. Në deklaratë thuhet se hetimi për vdekjen e tij u mbyll pa u mbajtur askush përgjegjës. Autoritetet izraelite ia kthyen familjes trupin e tij të ngrirë, pasi e kishin mbajtur për më shumë se një vit.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo