Armëpushimi i përkohshëm i Pashkëve, i rënë dakord midis Rusisë dhe Ukrainës të shtunën pasdite, më 11 prill, u shkel vetëm 38 minuta pasi hyri në fuqi, kur sirenat e sulmit ajror ranë në rajonin e Harkivit, në veri-lindje të Ukrainës.
Autoritetet dhe ushtria ukrainase që atëherë kanë regjistruar shkelje të shumta të armëpushimit përgjatë vijës së frontit, megjithëse nuk ka pasur sulme me raketa me rreze të gjatë ose me dronë.
Pushimi i luftimeve duhet të zgjasë deri të hënën, 13 prill, më shumë se katër vjet pasi Rusia filloi pushtimin e plotë, raportoi BBC.
”Pashkët duhet të jenë kohë sigurie, kohë paqeje,” shkroi presidenti Volodymyr Zelensky në rrjetin X, duke paralajmëruar se forcat ukrainase “do të përgjigjen ashpër” ndaj çdo veprimi nga Moska.
Mosbesimi është i madh midis banorëve. Në prag të armëpushimit, familjet sollën shporta me ëmbëlsira tradicionale, vezë dhe sallam për t’i bekuar në kishën “Shën Gjon Teologu”, dritaret e së cilës janë ende të mbuluara me dërrasa pasi u dëmtuan në fillim të luftës.
”Ndoshta do të ketë një pauzë, por pastaj Rusia do të fillojë me sulme edhe më intensive. Këtë e kemi parë tashmë,” tha famullitarja Larisa.
Në një poligon ushtarak pranë kufirit, anëtarët e njësisë së dronëve “Jasni Oçi” testuan pajisje të reja. Komandanti Heorhiy tha se ushtarët do të qëndrojnë në gatishmëri gjatë armëpushimit 32-orësh, i bindur se do të ketë sulme.
”Rusia thotë një gjë dhe bën një tjetër. Duhet të jemi të përgatitur,” deklaroi komandanti.
Banorët e Harkivit dhe fshatrave përreth vazhdojnë të jetojnë nën kërcënime të vazhdueshme. Olha, e cila humbi fqinjët e saj në një sulm me raketa muajin e kaluar, tha se armëpushimi zgjati vetëm një ditë e gjysmë.
”Por të paktën mund të pushojmë pak, sepse këtu çdo sekondë pret vdekjen. Duam paqe, jo për një ditë e gjysmë, por përgjithmonë,” tha ajo.
Zelensky ofroi që armëpushimi i përkohshëm të kthehet në një armëpushim të përhershëm dhe të vazhdojnë negociatat me Rusinë për një paqe të vërtetë. Megjithatë, Kremlini tashmë e ka hedhur poshtë këtë ide, duke njoftuar se sulmet do të vazhdojnë me forcë të plotë nga e hëna, 13 prill.