MUHAMED ZEQIRI – TETOVASOT/TS
Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është i qartë: shqipja është gjuhë zyrtare dhe respektimi i saj nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor. Megjithatë, disa drejtues institucionesh vazhdojnë të sillen sikur ligji të mos vlejë për ta.
Rasti i fundit në Komunën e Butelit është dëshmi e kësaj arrogance institucionale. Kryetari Darko Kostovski, me promovimin e parkut të ri me mbishkrim vetëm në maqedonisht, në një komunë ku shqiptarët përbëjnë mbi 40 për qind të popullsisë, jo vetëm që shpërfill një të drejtë ligjore, por dërgon edhe mesazh përjashtues ndaj qytetarëve shqiptarë. Kjo nuk është harresë, por mosrespektim që kërkon përgjegjësi.
Përballë kësaj, këshilltarët shqiptarë të VLEN-it dhe BDI-së janë bashkuar në kërkesën për respektimin e shqipes.
Por ku janë ministrat dhe liderët e VLEN-it në Qeveri? Pse heshtin? A mos vallë dikush e ka parë ministrin për Sistem Politik, Agon Feratin? A nuk është pikërisht institucioni që ai drejton përgjegjës të reagojë kur shkelet ligji? Nga momenti kur është emruar askund se kemi parë, i mjafton si duket të shkojë në punë me vetur zyrtare.
Ndërkohë, drejtori i Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, na porositi të bëjmë sabër.
Por qytetarët nuk kanë nevojë për këshilla për durim; kanë nevojë për institucione që zbatojnë ligjin dhe i mbrojnë të drejtat e tyre.
Neni 22 parasheh gjoba prej 4.000 deri në 5.000 euro për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin. Por duket se për disa kryetarë komunash si Darko dhe drejtues institucionesh kjo është një kosto e pranueshme për të luajtur rolin e patriotit para elektoratit të tyre. Në Slloveni, ndërkaq, gjobat për subjektet juridike mund të arrijnë deri në 40.000 euro, ndërsa ndëshkohet edhe personi përgjegjës.
Nga këtu Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë seriozisht nenin 22: gjoba më të larta, përgjegjësi personale për drejtuesit dhe mekanizma që garantojnë zbatimin e ligjit. Madje, duhet të shqyrtohet edhe përgjegjësia penale për shkelje të qëllimshme dhe të përsëritura, nëse ligjvënësi përcakton bazë të qartë për një gjë të tillë.
Buteli dhe Bërvenica dëshmojnë se kur preken të drejtat kombëtare, dallimet partiake zbehen. Gjuha shqipe nuk është pronë e VLEN-it, BDI-së apo e ndonjë partie tjetër. Ajo nuk është privilegj që Darko Kostovski apo dikush tjetër mund ta japë ose ta mohojë sipas dëshirës.
Kush shkel ligjin duhet të mbajë përgjegjësi. Nuk mjafton të paguhet një gjobë dhe të vazhdohet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Gjuha shqipe nuk negociohet, dinjiteti nuk blihet me gjoba dhe të drejtat nuk kërkojnë leje nga askush.
Kur preken të drejtat kombëtare, flamujt partiakë humbin rëndësinë. Sepse, në fund, shqiptarët i bashkon diçka shumë më e madhe se çdo parti: gjuha, dinjiteti dhe e drejta për të qenë të barabartë.