Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, është nderuar me çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Excellence in Road Safety” në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve World Police Summit Awards 2026, e mbajtur në kuadër të Samitit Botëror të Policisë në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe informon Tetovasot.
Çmimi iu nda Maqedonisë për projektin “Qytet i Sigurt”, i cili vlerësohet si një nga iniciativat më të rëndësishme për avancimin e sigurisë në komunikacion.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, projekti paraqet një qasje gjithëpërfshirëse që kombinon teknologjitë moderne, ndryshimet ligjore, zbulimin automatik të shkeljeve në trafik dhe digjitalizimin e procedurave, me qëllim uljen e numrit të aksidenteve dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Në kuadër të samitit, Toshkovski mbajti edhe fjalim para përfaqësuesve të policive nga shumë vende të botës, ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në përballjen me sfidat moderne të sigurisë.
Ai nënvizoi se, edhe pse institucionet shtetërore kanë juridiksion kombëtar, pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të tyre tejkalojnë kufijtë e një shteti.
Si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm ndërkombëtar, ministri përmendi hetimin e përbashkët të Policisë së Maqedonisë dhe FBI-së kundër platformës ilegale online OLVX, e cila lidhej me tregtinë e të dhënave personale të vjedhura dhe mjeteve për krim kibernetik.
“Gjatësia apo madhësia e një shteti nuk e kufizon rëndësinë e kontributit të tij. Një informacion në kohë, një hetim i suksesshëm ose një kërcënim i parandaluar mund të shpëtojnë jetë njerëzish edhe përtej kufijve të tij”, deklaroi Toshkovski.
Nga MPB vlerësojnë se ky çmim ndërkombëtar është një njohje për reformat që po zbatohen në fushën e sigurisë rrugore, por edhe një obligim shtesë për të vazhduar modernizimin dhe zbatimin e zgjidhjeve bashkëkohore në shërbim të qytetarëve.TS