Nga lufta në Ukrainë te siguria bërthamore, Putin zbulon prapaskenat e takimit me Trump dhe Xi: Një kapitull i rëndësishëm në historinë e diplomacisë
Presidenti rus Vladimir Putin, e ka cilësuar takimin trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump dhe presidentin kinez Xi Jinping, si një moment me rëndësi historike për diplomacinë ndërkombëtare.
Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të bisedimeve, Putin tha se takimi përbën një “kapitull të rëndësishëm në historinë e diplomacisë” dhe se ka pasur rëndësi historike.
Sipas tij, në disa çështje kyçe, tre liderët arritën jo domosdoshmërisht marrëveshje konkrete, por të paktën një mirëkuptim të përbashkët.
Kreu i Kremlinit e përshkroi diskutimin si të hapur dhe shumë të dobishëm, duke theksuar se atmosfera gjatë bisedimeve u mundësoi palëve të kuptonin më mirë qëndrimet e njëra-tjetrës.
“Diskutimi u zhvillua në një atmosferë plotësisht të hapur, gjë që na lejoi të kuptonim më mirë njëri-tjetrin. Në përgjithësi, ishte shumë i dobishëm”, deklaroi Putin.
Duke folur për luftën në Ukrainë, presidenti rus pretendoi se Kievi dhe vendet europiane nuk janë ende të gatshme të bëjnë kompromis për zgjidhjen e konfliktit.
Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti raportoi se Putin ka shprehur besimin se Donald Trump dëshiron sinqerisht t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të rivendosë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjatë deklaratave të tij, presidenti rus bëri të ditura edhe çështjet e tjera të trajtuara në takimin trepalësh. Sipas tij, liderët diskutuan për reformën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), çështjet e sigurisë ndërkombëtare dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.
Duke folur për këtë të fundit, Putin deklaroi se Rusia ka një avantazh në fushën bërthamore, pasi është një nga vendet udhëheqëse në teknologjinë bërthamore dhe në përdorimin paqësor të energjisë atomike.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte marrëdhënia mes Moskës dhe Uashingtonit. Putin u shpreh se raportet mes dy vendeve mund të përmirësohen, ndërsa qasja e administratës Trump ndaj Rusisë, sipas tij, jep arsye për optimizëm.
Takimi në Shenzhen shënoi bisedimet e para zyrtare trepalëshe mes liderëve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Pas tij, tri vendet publikuan edhe një deklaratë të përbashkët për paqen, ku theksuan angazhimin për stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare.