Armëpushimi i arritur pas 40 ditësh lufte që përfshinte Iranin mbetet “i përkohshëm” dhe “i brishtë”, me më shumë punë të nevojshme që ai të bëhet i qëndrueshëm, tha të enjten ministri i jashtëm francez, transmeton Anadolu.
“Armëpushimi i arritur të mërkurën, më 8 prill, ishte i përkohshëm dhe i brishtë. Mbetet shumë për t’u bërë për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Jean-Noel Barrot për të përditshmen franceze “La Croix”.
Ai tha se një zgjidhje e qëndrueshme do të kërkojë që Irani të bëjë “lëshime të mëdha” dhe të miratojë një “ndryshim rrënjësor të qëndrimit” për të lejuar bashkëjetesën paqësore me fqinjët e tij.
Barrot shtoi se diplomacia mbetet e vetmja rrugë e qëndrueshme përpara, duke përmendur marrëveshjen mbi prgramin bërthamor të vitit 2015 – nga e cila presidenti i SHBA-së Donald Trump tërhoqi në mënyrë të njëanshme SHBA-në në vitin 2018 – si një shembull të negociatave që çuan në një reduktim të matshëm të aktiviteteve bërthamore të Iranit.
Ai tha se tani nevojitet një marrëveshje më e gjerë, që mbulon programin bërthamor të Iranit, aftësitë e raketave balistike, aktivitetet rajonale dhe çështjet e të drejtave të njeriut.
“Situata tregon se asnjë palë nuk del më e fortë nga ky konflikt. Civilët në të gjithë Iranin dhe në Lindjen e Mesme më të gjerë mbeten viktimat kryesore”, shtoi ai.
Barrot dënoi gjithashtu sulmet e vazhdueshme të Izraelit ndaj Libanit, duke thënë se ato nuk duhet të minojnë kuadrin e brishtë të armëpushimit.
“Sulmet në shkallë të gjerë kanë shkaktuar viktima të konsiderueshme civile dhe Libani nuk duhet të bëhet një teatër dytësor lufte”, paralajmëroi ai.
Barrot kërkoi respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe i kërkoi Izraelit të shmangë shënjestrimin e infrastrukturës civile, ndërsa angazhohet në dialog me Libanin për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
Lidhur me NATO-n, Barrot hodhi poshtë idenë e bashkimit automatik me Shtetet e Bashkuara të Amerilës, duke theksuar autonominë strategjike evropiane dhe duke bërë thirrje për forcimin e shtyllës evropiane brenda aleancës.
SHBA-ja dhe Irani njoftuan një armëpushim dyjavor të martën, të ndërmjetësuar nga Pakistani, si një hap drejt një marrëveshjeje të mundshme më të gjerë për të ndaluar konfliktin kundër Teheranit të nisur më 28 shkurt nga Washingtoni dhe Tel Avivi, i cili ka lënë mijëra të vdekur dhe të plagosur.