Njeriu i sekreteve / Kush është gjenerali pakistanez që shpëtoi Botën nga lufta

Kur Uashingtoni dhe Teherani ulën armët në një armëpushim që askush nuk e priste, sytë e të gjithë botës u kthyen nga Pakistani. Nuk ishte as NATO, as OKB, as fuqitë e mëdha europiane, por një gjeneral i kthyer në marshall me dekret: Syed Asim Munir Ahmed Shah.

I cilësuar nga armiqtë e tij si një “sekser” apo ndërmjetës i dyshimtë, Munir ka arritur të bëjë atë që diplomacia botërore e dështoi për dekada. Por si arriti njeriu më i fuqishëm i Pakistanit, një vendi të mbytur në borxhe dhe i rrethuar nga luftërat, të bëhej “ndërmjetësi i apokalipsit”?

Arsyeja është sa e thjeshtë, aq edhe paradoksale: Pakistani është aq i dobët dhe i varur nga të gjitha palët, sa është i vetmi që mund të flasë me të gjithë pa i mbyllur askush telefonin. Ndërsa brenda kufijve të tij Marshalli Munir menaxhon një krizë pas tjetrës, nga ish-kryeministri Imran Khan në burg e deri te luftimet e përgjakshme me talebanët afganë, në skenën ndërkombëtare ai ka thurur një rrjet lidhjesh të pathyeshme.

Ai ka joshur administratën e Donald Trump me durim, duke e propozuar madje presidentin amerikan për Çmimin Nobel, ndërkohë që mban lidhje të ngushta telefonike me zëvendëspresidentin JD Vance dhe diplomacinë iraniane.

Ky ndërmjetësim nuk është thjesht dëshirë për paqe, por një nevojë dëshpëruese për mbijetesë. Pakistani ndan 900 kilometra kufi me Iranin, ku të dyja vendet kanë interes të shtypin kryengritjet separatiste.

Nga ana tjetër, Kina ka investuar mbi 60 miliardë dollarë në territorin pakistanez dhe kërkon qetësi për të siguruar naftën që vjen nga Lindja e Mesme. Gjithashtu, miliona punëtorë pakistanezë në Gjirin Persik dërgojnë miliarda dollarë në shtëpi, duke e bërë Pakistanin të mendohet mirë para se të mbajë anë në një luftë mes Arabisë Saudite dhe Iranit.

Në fund të ditës, Marshalli Munir vërtetoi se në politikën e madhe, ndonjëherë ai që duket më i dobëti është njeriu më i rëndësishëm. Duke manovruar mes borxheve ndaj Kinës, paktit të mbrojtjes me Sauditët dhe dëshirës së Trump-it për tregti, Pakistani u bë i vetmi “urë” komunikimi. Siç u shpreh edhe diplomacia indiane, Marshalli diti të luajë rolin e “ndërmjetësit” me saktësi kirurgjikale, duke e bërë botën të marrë frymë më lirshëm në një moment kur lufta dukej e pashmangshme.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo