BE vendos sistem të ri digjital në kufij, nga 10 prilli nis EES





Ministria e Punëve të Brendshme njofton se nga data 10 prill 2026 fillon zbatimi i plotë i sistemit të ri për hyrje-dalje në Bashkimin Evropian (EES – Entry/Exit System), duke sjellë një mënyrë të re, të digjitalizuar të kontrollit kufitar.

Ky sistem do të vlejë për shtetasit e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së dhe që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra. Me vendosjen e EES, hyrjet dhe daljet nuk do të vulosen më në pasaportë, por do të regjistrohen në mënyrë elektronike.
Sistemi parashikon edhe mbledhjen e të dhënave bazë biometrike, si gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, me qëllim identifikim më të shpejtë dhe kontroll më efikas të kohëzgjatjes së qëndrimit, sipas rregullit “90 ditë brenda 180 ditëve”.
Nga MPB paralajmërojnë se për shkak të procedurave të reja, mund të ketë rritje të kohës së pritjes në pikat kufitare gjatë hyrjes në BE.

Ndërkohë, Policia Kufitare e vendit thekson se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar qarkullim të shpejtë dhe pa pengesa të udhëtarëve. Janë vënë në funksion të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore, ndërsa në terren do të ketë angazhim të shtuar.

Autoritetet bëjnë të ditur se do të monitorojnë vazhdimisht situatën dhe do të informojnë qytetarët për çdo zhvillim lidhur me zbatimin e këtij sistemi të ri

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo