Papa bën thirrje për armëpushim, kërkon paqe përmes dialogut

Kreu i Vatikanit dhe i Kishës Katolike, Papa Leoni përsëriti thirrjen e tij për armëpushim dhe u bëri apel autoriteteve të ndjekin rrugën e paqes përmes dialogut, duke paralajmëruar për rritjen e urrejtjes, dhunës dhe vdekjeve, raportoi “Vatican News”, transmeton Anadolu.

“Dëshiroj të ripërtërij apelin për armëpushim, për të punuar për paqen, por jo me armë – me dialog”, u tha ai gazetarëve në Castel Gandolfo, Itali.

Papa paralajmëroi se “urrejtja po rritet” dhe se dhuna po përkeqësohet, duke shtuar se më shumë se një milion njerëz janë të izoluar dhe shumë të tjerë kanë humbur jetën. “Ne duam të lutemi për paqe, por u bëj thirrje të gjitha autoriteteve që të punojnë vërtet përmes dialogut për të zgjidhur problemet”, tha ai.

Në një fjalim të veçantë gjatë lutjes së “Engjëllit të Zotit” të dielën, papa shprehu “tronditje” për situatën në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera të prekura nga lufta dhe dhuna. “Nuk mund të qëndrojmë të heshtur përballë vuajtjes së kaq shumë njerëzve të pambrojtur që janë viktima të këtyre konflikteve”, tha ai.

Papa dënoi vuajtjet e shkaktuara nga luftërat, duke e cilësuar atë si “një skandal për të gjithë familjen njerëzore”. Ai bëri thirrje për vazhdimin e lutjeve në mënyrë që armiqësitë të marrin fund dhe të hapen rrugë drejt paqes përmes dialogut të sinqertë dhe respektit për dinjitetin njerëzor.

Rajoni është tronditur që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, e cila deri më tani ka shkaktuar mbi 1.300 viktima, përfshirë edhe liderin e atëhershëm suprem Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndërprerë tregjet globale dhe trafikun ajror.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo