Ka përfunduar takimi trepalësh në Shenzen të Kinës, mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Valdimir Putin dhe liderit kinez Xi Jinping.
Siaps “Reuters”. takimi zgjati për rreth 90 minuta dhe të tre liderët dolën me një deklaratë të përbashkët mbi paqen, në të cilën thanë se “lufta bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të luftohet kurrë. Takimi u përqendrua te siguria globale, reduktimi i armëve bërthamore, lufta në Ukrainë dhe situata në Lindjen e Mesme.
Gjatë diskutimeve, Trump e cilësoi takimin si një moment historik, duke deklaruar se SHBA, Rusia dhe Kina kanë një përgjegjësi të veçantë për të diskutuar uljen e arsenalit bërthamor dhe shmangien e përdorimit të armëve atomike. Nga ana tjetër, Xi Jinping bëri thirrje për më shumë dialog mes fuqive të mëdha dhe për shmangien e përplasjeve, ndërsa Putin theksoi nevojën për bashkëpunim në çështjet ndërkombëtare.
Një nga temat kryesore ishte kontrolli i armëve bërthamore. Trump kërkoi një marrëveshje të re që të përfshijë edhe Kinën, pas përfundimit të marrëveshjes së mëparshme amerikano-ruse për kufizimin e armëve strategjike. Megjithatë, deri tani nuk u njoftua ndonjë marrëveshje konkrete.
Lufta në Ukrainë ishte gjithashtu pjesë e diskutimeve, veçanërisht në takimin dypalësh mes Trump dhe Putin. Presidenti amerikan tha se shpreson që dialogu me Moskën dhe Pekinin të ndihmojë në gjetjen e një rruge drejt përfundimit të konfliktit. Gjatë bisedimeve u diskutua edhe çështja e Iranit, përfshirë shqetësimet amerikane për programin bërthamor të Teheranit dhe stabilitetin e furnizimeve energjetike në Lindjen e Mesme. Trump tha se tre vendet mund të luajnë rol në uljen e tensioneve globale.
Përveç takimit trepalësh, Trump zhvilloi bisedime të veçanta me Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Me liderin kinez u diskutuan çështje tregtare, tarifat, teknologjia dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, ndërsa me Putinin fokusi kryesor ishte Ukraina dhe siguria ndërkombëtare.
Megjithëse takimi u cilësua si një ngjarje e rrallë diplomatike, analistët vlerësojnë se pritshmëritë për një marrëveshje të madhe janë të kufizuara, pasi tre vendet vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje të thella për tregtinë, teknologjinë dhe konfliktet gjeopolitike.