Ushtria turke shkatërroi një dron detar amerikan që kishte dalë në bregun e Detit të Zi

Ekipet ushtarake turke të shtunën, pranë qytetit Ordu në bregun e Detit të Zi, shkatërruan një mjet sipërfaqësor pa pilot amerikan AEGIR-W, i cili një ditë më parë kishte dalë në plazh në lagjen Ünye, pasi u konstatua se ishte aktiv dhe i armatosur.
Sipas njoftimit të Zyrës së Guvernatorit të Ordu-së, ekipet ushtarake turke kryen një shpërthim të kontrolluar të këtij mjeti pa pilot të prodhuar në SHBA, pasi inspektorët vërtetuan se bëhej fjalë për një mjet ushtarak aktiv me municion luftarak.

Mjeti AEGIR-W, një anije autonome ushtarake e prodhuar nga kompania amerikane e mbrojtjes Sierra Nevada Corporation, ishte nxjerrë në breg në zonën Yüceler të rrethit Ünye, në bregdetin turk të Detit të Zi, të premten pasdite.

Qytetarët që vunë re objektin e paidentifikuar njoftuan autoritetet, pas çka në vendngjarje u dërguan ekipet e xhandarmërisë, të cilat siguruan zonën përreth.

Specialistët nga Komanda e Grupit S.A.S në Stamboll e ekzaminuan mjetin të shtunën dhe rreth orës 14:00 sipas kohës lokale konstatuan se ai ishte ende operativ dhe mbante mjete shpërthyese, thuhet në njoftimin e guvernatorit. Pas kontrollit, mjeti u tërhoq rreth katër kilometra larg bregut dhe u shkatërrua me shpërthim të kontrolluar, ndërsa shtëpitë përreth u evakuuan në mënyrë parandaluese gjatë gjithë operacionit.

Besohet se ky mjet pa pilot është përdorur në testime të lidhura me luftën në Ukrainë, megjithëse kjo nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur. Nuk është dhënë një shpjegim zyrtar se si ky dron përfundoi në bregdetin turk, ndërsa hetimet për incidentin vazhdojnë.

AEGIR i përket familjes së mjeteve sipërfaqësore pa pilot që kompania Sierra Nevada Corporation i ofron për përdorim në mjedise detare me rrezik të lartë.

Sipas të dhënave teknike të prodhuesit, varianti AEGIR-W është rreth 10 metra i gjatë, ka një rreze veprimi deri në 900 kilometra, mund të arrijë shpejtësi mbi 25 nyje dhe të mbajë ngarkesë deri në 300 kilogramë. Mjeti mund të operojë plotësisht në mënyrë autonome ose të kontrollohet nga operatorë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo