Aeroplani përplaset me ndërtesën në Gjermani, 2 të vdekur

Të paktën dy persona humbën jetën sot kur një aeroplan i vogël u rrëzua në një ndërtesë banimi në Korschenbruch, në shtetin gjerman të North Rhine-Westphalia, duke shkaktuar një zjarr në një pjesë të ndërtesës.

Aeroplani ra në oborrin përpara ndërtesës, duke kapur një pjesë të fasadës, dhe muri i ndërtesës u dëmtua rëndë.

Policia njoftoi se njëra nga viktimat është një pilote 71-vjeçare dhe po punon për identifikimin e viktimës tjetër, raporton AP.

Nga tre personat e regjistruar si banorë të ndërtesës, dy nuk ishin të pranishëm në kohën e rënies dhe më vonë kontaktuan policinë.

Sipas Bild, aeroplani u përpoq të ulej në Mönchengladbach aty pranë, pasi piloti më parë raportoi se kishte probleme me motorin. Pak më vonë, avioni u rrëzua.