Izraeli tërhiqet nga korridori që ndau Gazën në dysh

Pas disa muajsh bllokade, trupat izraelite janë tërhequr nga Korridori Netzarim, një zonë ushtarake që ndante veriun e Rripit të Gazës nga jugu.

Pas tërheqjes, qindra palestinezë, me makina dhe karroca të mbushura me sende jetike, janë nisur drejt veriut, përballë pamjeve të shkatërrimit masiv.

Ky veprim është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit, të arritur më 19 janar. Deri tani, në kuadër të saj janë liruar 21 pengje izraelite dhe 566 të burgosur palestinezë. Sipas marrëveshjes, deri në fund të fazës së parë, pas tre javësh, pritet të lirohen gjithsej 33 pengje dhe 1,900 të burgosur palestinezë. Izraeli ka konfirmuar se tetë nga pengjet janë të vdekur.

Lufta në Gaza nisi më 7 tetor 2023, kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë rreth 1,200 persona dhe duke marrë 251 pengje. Si kundërpërgjigje, ofensiva izraelite ka shkaktuar të paktën 47,500 viktima palestineze, sipas ministrisë së shëndetësisë të Hamasit në Gaza. OKB thotë se rreth dy të tretat e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar.

Në fillim të luftës, rreth 700,000 palestinezë nga Gaza veriore u zhvendosën drejt jugut pas urdhrave izraelite për evakuim masiv. Më vonë, shumë prej tyre u detyruan të lëviznin sërish, teksa ushtria izraelite avanconte edhe në jug. Korridori Netzarim kishte mbetur pika kryesore që pengonte rikthimin e tyre në veri.

Muajin e kaluar, Izraeli lehtësoi lëvizjen për këmbësorët përgjatë rrugës bregdetare Rashid, ndërsa ata me automjete duhet të kalojnë përmes rrugës Salah al-Din dhe t’i nënshtrohen kontrolleve të armëve. Tashmë, tërheqja e trupave izraelite nga lindja e korridorit lejon qarkullimin e plotë mes veriut dhe jugut të Gazës.

Ndërkohë, një delegacion izraelit pritet të udhëtojë në Katar për të diskutuar çështjet teknike të armëpushimit. Qeveria izraelite thekson se këto bisedime nuk do të trajtojnë ende fazën e dytë të marrëveshjes, që parashikon një armëpushim të përhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur në Gaza dhe tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga territori palestinez.

Ky zhvillim vjen pas vizitës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në SHBA, ku u takua me Presidentin Donald Trump, lideri i parë i huaj që e takon Trump pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar.

Gjatë takimit, Trump propozoi një plan të diskutueshëm për Gazën, duke sugjeruar largimin e të gjithë popullsisë civile dhe ndërtimin e asaj që ai e quajti “Riviera e Lindjes së Mesme”.

Ky propozim është refuzuar gjerësisht, përfshirë edhe nga shtetet arabe. Arabia Saudite e cilësoi atë si “spastrim etnik”, ndërsa Egjipti ka thirrur një samit urgjent të Ligës Arabe më 27 shkurt për të diskutuar situatën në Gaza./BBC