Presidenti i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe themeluesi i saj në vitin 1978, Abdullah Ocalan, do të bëjë një “apel historik” në ditët në vijim, me synimin për të gjetur një zgjidhje për çështjen kurde në Turqi, deklaroi sot lideri i partisë kryesore pro-kurde në vend.
“Zoti Ocalan është i gatshëm që në ditët e ardhshme të bëjë një thirrje historike, e cila mund të çojë në një zgjidhje të qëndrueshme të çështjes kurde”, tha Tuncer Bakirhan, bashkëkryetar i Partisë së Barazisë dhe Demokracisë Popullore (DEM, ish-HDP), partia e tretë më e madhe në parlamentin turk.
Sipas vëzhguesve, Abdulah Ocalan (75), i njohur gjithashtu si Apo (“xhaxha” në kurdisht), mund të bëjë më 15 shkurt një thirrje për ndalimin e luftimeve – pikërisht në përvjetorin e kapjes së tij në Nairobi në vitin 1999.
“Tani gjithçka është në duart e Erdoganit. Kjo është mundësia juaj për të shkruar historinë, zoti Erdogan”, deklaroi Bakirhan para deputetëve të DEM-it, shkruan ntv.
Erdogan dhe aleatët kryesorë iu drejtuan Ocalanit në fund të dhjetorit, duke i propozuar lirimin nëse ai i bën thirrje luftëtarëve të PKK-së të dorëzojnë armët.
Ocalan atëherë deklaroi se ishte “i vendosur” të vazhdojë dialogun me Ankaranë, duke thënë se kishte një “përgjegjësi historike”, sipas deputetëve të DEM-it që u takuan me të në atë kohë.
PKK-ja, e cila që nga viti 1984 po zhvillon një luftë të armatosur kundër qeverisë turke, është shpallur organizatë terroriste nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.