Venezuela sot i ka liruar gjashtë të burgosur amerikanë, pas negociatave që zhvilloi Richard Grenell, me presidentin venezuelian Nikolas Maduro.
Gjashtë të burgosurit e kanë falënderuar Trump pasi janë liruar.
Në pamje të publikuara në rrjete sociale shihen ata duke biseduar me Trump në telefon derisa janë në aeroplan për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Faleminderit shumë presidenti Trump”, tha njëri nga të burgosurit.
Ndërsa tjetri u shpreh: “Faleminderit shumë, kjo është e mrekullueshme nuk mund ta besojmë se jemi këtu, duke fluturuar mbi re”.
Ndërsa të gjithë së bashku amerikanët e liruar thanë: “Të duam shumë Trump”.
Më herët, Shtëpia e Bardhë i kishte bërë thirrje Venezuelës që të lironte ata që i quajti “pengjet amerikanë” – si dhe të pajtohej e të pranonte kriminelët venezuelianë të dëbuar nga ShBA-ja, ose të përballej me pasoja.
Të paktën nëntë persona me nënshtetësi amerikane besohet të jenë në mesin e mbi 2,200 të arrestuarve nga autoritetet venezueliane pas protestave mbarëkombëtare mbi rezultatet e kontestuara të zgjedhjeve të korrikut 2024, në të cilat Nicolas Maduro pretendoi fitoren.
Rizgjedhja e tij u refuzua gjerësisht nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar, përfshirë ShBA-në. Ai u betua për mandatin e tij të tretë muajin e kaluar.
Trump e përshëndeti masën në një postim të veçantë, duke thënë se Grenell po i sillte të gjashtë personat “në shtëpi nga Venezuela”.
Mediat shtetërore të Venezuelës thanë se diskutimet me të dërguarin e Presidentit Trump kishin qenë të respektueshme, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv