Mbi 376 mijë palestinezë rikthehen në veri të Gazës

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare njoftoi se mbi 376 mijë palestinezë të zhvendosur me forcë nga ofensiva 471-ditore e Izraelit janë kthyer në veri të Gazës pas hapjes së Korridorit Netzarim.
Pavarësisht shkatërrimeve të rënda të shkaktuara nga sulmet izraelite, palestinezët vazhdojnë të kthehen në veri të Gazës.

Në një deklaratë nga OCHA thuhet se më shumë se 376 mijë palestinezë të zhvendosur me forcë nga shtëpitë e tyre kanë kaluar në veri të Gazës që nga 27 janari e deri më tani.

Në përputhje me armëpushimin e arritur me Hamasin, Izraeli hapi korridorin Netzarim të hënën duke lejuar palestinezët e zhvendosur të kalonin në veri të Gazës.

Sipas deklaratës së bërë nga Zyra e medias e qeverisë në Gaza, shkatërrimi në veri për shkak të sulmeve izraelite është rreth 90 për qind. Shumica e banorëve të Gazës që u kthyen në veri, në vend të shtëpive të tyre janë përballur me rrënoja për shkak të shkatërrimeve të mëdha.

Pavarësisht të gjitha këtyre vështirësive, banorët e Gazës të cilët shprehën se nuk duan të largohen nga toka e tyre, vazhdojnë të lëvizin nga jugu në veri.