Operacioni “Daku” trondit Italinë/ ‘Çmontohet’ rrjeti i madh shqiptar i drogës, 28 të arrestuar dhe mbi 60 kg narkotikë
Policia italiane në Bolzano ka dhënë detaje për një operacion të madh antidrogë të koduar “Daku”, pas të cilit është goditur një organizatë kriminale e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.
Pas rreth dy vitesh hetime, janë lëshuar dhe ekzekutuar 28 masa sigurie.
Një pjesë e të dyshuarve janë vendosur në burg, ndërsa të tjerë në arrest shtëpie ose me detyrim paraqitjeje.
Hetimet kanë nisur në vitin 2023 dhe gjatë kësaj kohe janë sekuestruar mbi 60 kilogramë drogë, përfshirë kokainë, heroinë, hashash dhe kanabis. Po ashtu janë gjetur rreth 80 mijë euro cash, armë dhe prova të tjera.
Sipas autoriteteve, grupi ishte i organizuar në disa celula dhe kishte një strukturë të qartë rolesh. Droga vinte kryesisht nga Amerika Latine, kalonte përmes vendeve si Belgjika dhe Spanja dhe më pas shpërndahej në Itali. Ajo transportohej e fshehur në mjete me funde të dyfishta të përshtatura posaçërisht.
Gjatë hetimeve janë përdorur përgjime telefonike dhe ambientale, si dhe janë zbërthyer komunikime në rrjete sociale dhe platforma të ndryshme. Anëtarët e grupit përdornin edhe gjuhë të koduar dhe nofkën “Daku” për të komunikuar mes tyre.
Më herët, në aksione të ndryshme, janë arrestuar edhe 22 persona të tjerë të lidhur me këtë rrjet. Operacioni është shtrirë në disa zona të veriut të Italisë, nga Milano deri në Ankona.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Antimafias së Trento, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e organizatës dhe lidhjet e saj ndërkombëtare.