Kryeministri Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, mori pjesë në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore në Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Manastir, me rastin e 100-vjetorit të hapjes së saj.
Në ceremoni përshëndeti Konsulli i Nderit, Imer Selmani, i cili vlerësoi rëndësinë historike të Manastirit si qytet i alfabetit shqip, i Rilindjes Kombëtare dhe i diplomacisë shqiptare.
Selmani theksoi se kjo pllakë përkujtimore përfaqëson një dëshmi të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe diplomatike, duke nënvizuar nevojën për ruajtjen dhe përcjelljen e saj te brezat e ardhshëm.
“Ju falënderoj që keni vizituar Manastirin, si fole e Rilindjes sonë Kombëtare, e Abetares dhe e diplomacisë. Ndaj, shfrytëzoj rastin e sotëm për t’ju përshëndetur në emrin tim dhe në emër të shqiptarëve. Është një privilegj i veçantë që sot të shpalosim pllakën përkujtimore me rastin e 100-vjetorit të Konventës Konsullore të vitit 1926 dhe të rikujtojmë se Manastiri zë një vend të veçantë në historinë tonë kombëtare, si qyteti i alfabetit shqip, i Rilindjes, i dijes dhe i diplomacisë. Me të gjitha këto atribute, Manastiri dhe shqiptarët e tij kanë kontribuar në formësimin e identitetit tonë kombëtar”, tha ai.
Ai falënderoi kryeministrin Rama për praninë, duke e cilësuar atë si një shenjë respekti ndaj historisë kombëtare dhe si një mundësi për forcimin e urave të bashkëpunimit dhe miqësisë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“I nderuar Kryeministër, prania juaj sot i jep një rëndësi të veçantë kësaj ceremonie dhe dëshmon respektin ndaj trashëgimisë sonë historike dhe diplomatike. Si Konsull Nderi, e konsideroj këtë trashëgimi një përgjegjësi dhe një frymëzim për të vazhduar ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe të miqësisë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Le të mbetet kjo pllakë një dëshmi e përhershme e historisë sonë dhe një mesazh për brezat që vijnë: të ruajmë, të nderojmë dhe të përcjellim me krenari trashëgiminë tonë”, tha Selmani.