63 vite nga vrasja e Kennedy-t, kush qëndronte vërtet pas atentatit në Dallas?

Më 22 nëntor 2026 u mbushën 63 vjet nga vrasja e Presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Kennedy.

Vrasja e Kenedit përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, me ndikim të madh jo vetëm në historinë e SHBA-së, por në tërë botën. Ajo ka përcaktuar drejtimin e zhvillimeve politike, ekonomike e sociale të viteve 1960–’70 dhe më vonë.

Gjurmët e vrasjes në Dallas i gjen edhe sot në zgjedhjet presidenciale në SHBA, përfshirë tentativat për vrasjen e Donald Trump-it. Çdo zhvillim i rëndësishëm në politikën amerikane dhe mekanizmat mbi të cilat ajo funksionon kanë sadopak në to vrasjen në Dallas dhe skandalin e Watergate-it.

Për të zbardhur vrasjen e Presidentit Kenedi u ngrit një komision i posaçëm i Kongresit, i njohur me emrin Komisioni Warren, me objektiv hetimin e fakteve dhe provave dhe paraqitjen e versionit zyrtar për atentatin (Komisioni mori emrin e Earl Warren-it, Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe kryesues i Komisionit). Ai përbëhej nga 5 kongresmenë të shquar të të dy krahëve të politikës amerikane: Richard Russell, John McCloy, Gerald Ford, Sherman Cooper, Hale Boggs, dhe si këshilltar kishte ish-drejtorin e CIA-s, Allen Dulles, të shkarkuar nga Kenedi pas ngjarjeve në Gjirin e Derrave.

Raporti i Komisionit iu paraqit Presidentit të SHBA-së, Lyndon Johnson, më 24 shtator 1964 dhe konkludonte se vrasësi Lee Harvey Oswald veproi i vetëm dhe pa përkrahje. Për të mbështetur këtë tezë u organizua një operacion i madh në shtyp dhe TV, duke angazhuar disa nga gazetarët më të shquar të kohës, përfshirë Walter Cronkite.

Duhet thënë se që në fillim konkluzioni i komisionit u prit me skepticizëm, por faktet dhe dokumentet që u zbuluan më vonë e bënë atë shumë të goditshëm. Në qarqet jozyrtare — historianë, gazetarë, njerëz të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë, të cilët ndër vite e kanë hetuar këtë ngjarje — prevalon mendimi që Komisioni Warren ishte një aleancë politike për të fshehur të vërtetën e vrasjes së Presidentit Kennedy. (1)

Në vitin 1967, Prokurori i New Orleans-it, Jim Garrison, arrestoi biznesmenin Clay Shaw dhe e akuzoi se, në bashkëpunim me Lee Harvey Oswald, David Ferrie, kontingjente të CIA-s e emigrantë kubanë, kishin komplotuar dhe vrarë Presidentin Kenedi. (2)

Clay Shaw u gjykua në vitin 1969 dhe, megjithëse Gjykata pranoi ekzistencën e konspiracionit për të vrarë Presidentin Kennedy, ai u shpall i pafajshëm. Prokurori Jim Garrison nuk mundi të vërtetonte në mënyrë të qartë dhe të pamohueshme lidhjet e Clay Shaw-t me CIA-n. (3)

Disa vite më vonë, në vitin 1978, Victor Marchetti, ndihmës i Richard Helms-it, Drejtor i CIA-s, publikoi në revistën The Spotlight një shkrim me titull: “CIA të pranojë përfshirjen e Hunt-it në vrasjen e Kenedit në Dallas”. Sipas tij, Howard Hunt (i arrestuar në vitin 1972 në ndërhyrjen në hotelin Watergate) më 22 nëntor 1963 ishte në Dallas, në sheshin ku u vra Kenedi. Hunt, në dëshminë që kishte dhënë para Komisionit Warren, e kishte mohuar kategorikisht që kishte qenë në Dallas më 22 nëntor 1963.

Në gjyqin që Hunt hapi kundër Marchetti-t në vitin 1984, deponoi edhe ish-drejtori i CIA-s, Richard Helms. Gjatë deponimit ai pranoi që Clay Shaw ishte bashkëpunëtor i CIA-s, fakt që e kishte konfirmuar edhe në dëshminë që Helms kishte dhënë në një tjetër gjyq të ngjashëm të Hunt-it kundër gazetarit Weberman në vitin 1979. Clay Shaw ndërkohë kishte ndërruar jetë 10 vjet më parë, në vitin 1974. (4)

Faktet dhe dokumentet që u zbuluan në dhjetëvjeçarin e parë pas vrasjes së Presidentit Kenedi nxitën shumë zëra për nevojën e një hetimi të ri. Teoria e vrasësit të vetëm ishte pak ose aspak bindëse për opinionin publik, pavarësisht se në mbrojtje të saj ishin ngritur dhe kishin shkruar shumë njerëz të shquar të politikës, drejtësisë dhe medias.

I ndodhur para presionit në rritje, Senati i SHBA-së në vitin 1976 miratoi Rezolutën 1540 dhe më 15 shtator 1976 u ngrit Komisioni i Posaçëm i Senatit të Shteteve të Bashkuara (Komisioni Schweiker, sipas senatorit që e kryesonte) për të hetuar vrasjet e John Kennedy-t në vitin 1963 dhe Dr. Martin Luther King Jr.-it në vitin 1968.

Hetimet e Komisionit u mbyllën më 3 janar 1979, kur u paraqit raporti përfundimtar. Konkluzioni i Komisionit ishte që: “Kenedi ndoshta ishte vrarë si rezultat i një konspiracioni, por Komisioni nuk ishte në gjendje të identifikonte qitësit e tjerë dhe madhësinë e konspiracionit”. (5)

Komisioni gjithashtu deklaroi se në konspiracion nuk janë të përfshira qeveritë e Kubës, BRSS-ja, FBI-ja, CIA, grupet anti-Castro apo grupe të krimit të organizuar.

Pas arritjes në këtë përfundim, me të drejtë ngrihet pyetja: nëse nuk e kanë vrarë këta, kush tjetër mbetet të ketë mundësinë dhe mjetet për të vrarë Presidentin Kenedi?

Për vrasjen e Presidentit Kenedi janë shkruar qindra libra, mijëra artikuj, ese, raporte pafund, janë bërë filma, dokumentarë etj. Shumica e autorëve e drejtojnë gishtin tek Deep State i SHBA-së, që nënkupton korporatat, industrinë ushtarake, Pentagonin, CIA-n, FBI-në dhe Shërbimin e Sigurisë që ruante Presidentin Kenedi. Për këtë qëllim, thonë autorët e ndryshëm, u përdorën grupet anti-Castro në Miami, si dhe Mafia. (6)

Më poshtë, nga autorë të ndryshëm, kam përmbledhur ngjarjet që përcaktuan fatin politik të Presidentit Kenedi, si dhe aktorët që mund të jenë përfshirë e që mund të kishin interesa në këtë vrasje:

a) Zbarkimi në Gjirin e Derrave në Kubë
Industria ushtarake është kontribuesja dhe punëdhënësja më e madhe e ekonomisë amerikane. Konfliktet nëpër botë dhe prodhimi i armëve të reja janë ushqimi i saj kryesor. Pa luftëra nuk ka prodhim armësh, nuk ka fitime dhe rrezikohen investimet e jashtëzakonshme në këtë sektor.

Në vitin 1959, nën drejtimin e zv.presidentit Nixon, po përgatitej plani për të ndërhyrë në Kubë dhe për të rrëzuar Fidel Kastron. Plani parashikonte ndërhyrjen në Gjirin e Derrave të rreth 1 400 kubanëve anti-Castro të stërvitur nga CIA. Ata formonin Brigadën 2506. Sapo desantët të zbarkonin në tokë, ata do të mbështeteshin nga aviacioni amerikan me tre valë goditjesh ndaj trupave dhe objekteve të ushtrisë kubane.

Nixon-i i humbi zgjedhjet e vitit 1960 dhe Kenedi u bë President. Sapo ai mori detyrën, CIA i paraqiti planin e ndërhyrjes në Gjirin e Derrave. Kenedi e miratoi, por pa qenë i qartë plotësisht për shkallën e angazhimit amerikan. Një nga planifikuesit dhe drejtuesit më kryesorë të ndërhyrjes në Gjirin e Derrave ishte Howard Hunt, eksponent i CIA-s, i cili vite më vonë drejtoi ndërhyrjen në hotelin Watergate, në zyrat e Partisë Demokratike.

Ndërhyrja në Gjirin e Derrave u realizua në prill të vitit 1961. Trupat emigrante kubane zbarkuan në tokë dhe kërkuan mbështetje nga ajri prej ushtrisë amerikane.

Ligjet e SHBA-së dhe ato ndërkombëtare nuk i lejonin Kenedit të ndërhynte në Kubë pa miratimin e Kongresit. Pavarësisht kësaj, Pentagoni dhe CIA dëshironin të ndërhynin me trupa tokësore dhe ta pushtonin Kubën.

Kenedi kuptoi që kishte rënë në kurth. I gjendur në një rrugë pa krye, ai e mbështeti zbarkimin formalisht nga ajri me numër shumë të reduktuar avionësh dhe kreu vetëm një sulm ajror. Ai refuzoi të angazhonte trupat tokësore.

Operacioni në Gjirin e Derrave rezultoi një katastrofë e vërtetë: 200 kubanë u vranë dhe rreth 1 100 u kapën rob. Të tjerët ikën nga sytë këmbët.

Ngurrimi i Kenedit në Gjirin e Derrave binte ndesh me premtimin e bërë gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 1960, ku ai ishte shprehur që do të mbante qëndrim të ashpër ndaj Kubës dhe do ta zgjidhte përfundimisht çështjen e saj. Drejtuesit e ushtrisë, CIA dhe emigracioni kuban në Miami e konsideruan tradhti qëndrimin e Presidentit gjatë zbarkimit në Gjirin e Derrave dhe ajo shënoi çarjen e parë të madhe midis tyre. (7)

b) Kriza e raketave në Kubë
Në tetor të vitit 1962, amerikanët zbuluan nëpërmjet fotografive të bëra nga aeroplanët U-2 se, në përgjigje të dislokimit të raketave amerikane në Itali dhe Turqi, sovjetikët kishin dislokuar raketa në Kubë, të afta të godisnin dhe shkatërronin çdo qytet të SHBA-së.

Ky zhvillim kaq dramatik erdhi në kohën kur Kenedi dhe rrethi i tij i ngushtë po bisedonin me sovjetikët për të nënshkruar traktatin e ndalimit të përhapjes së armëve bërthamore, si dhe për çtensionimin e marrëdhënieve amerikano-sovjetike.

Departamenti i Mbrojtjes dhe Pentagoni kërkuan goditjen e Kubës dhe pushtimin e saj me çdo çmim.

Kenedi i druhej fillimit të Luftës së Tretë Botërore, e cila do të ishte nukleare dhe mund të çonte në fundin e civilizimit. Përgjegjësia ishte e madhe dhe si kundërpërgjigje të parë ai urdhëroi bllokimin e hapësirës detare të Kubës. Sovjetikëve iu kërkua t’i hiqnin urgjent raketat nga Kuba.

Poshtë asaj që dukej, midis amerikanëve dhe sovjetikëve u vendosën kontakte të shumta dhe u zhvilluan bisedime me ndërmjetës të tretë, ku i përfshirë ishte edhe Robert Kenedi, vëllai i Presidentit Kenedi.

Disa historianë janë të mendimit se Hrushovi u paralajmërua nga vëllai i Presidentit që, nëse ai nuk i tërheq raketat, ushtarakët amerikanë mund të organizojnë grusht shteti për të rrëzuar Presidentin Kenedi dhe lufta do të ishte e pashmangshme.

Pas dy javësh tensioni të jashtëzakonshëm, sovjetikët vendosën t’i tërhiqnin raketat nga Kuba. Si kompensim, Kenedi deklaroi që nuk do ta pushtonte Kubën në asnjë rast dhe tërhoqi disa raketa nga Turqia.

Zemërimi i ushtarakëve amerikanë ishte i pashoq. Ata e konsideruan marrëveshjen të turpshme për SHBA-në dhe Kenedin si frikacak që po dobëson Amerikën e forcon sovjetikët dhe komunizmin global. (8)(9)

c) Lufta në Vietnamin e Jugut
Në janar të vitit 1961, kur Kenedi erdhi në pushtet, situata në Vietnamin e Jugut ishte shumë e trazuar, me luftime të ashpra me forcat e Vietnamit të Veriut, të mbështetura nga BRSS-ja dhe Kina.

Amerikanët kishin në terren rreth 20 mijë këshilltarë ushtarakë, të cilët këshillonin ushtrinë dhe qeverinë e atij vendi. Pentagoni, CIA dhe Departamenti i Mbrojtjes insistonin të ndërhynin me trupa tokësore në Vietnamin e Jugut, sepse vetëm kështu, sipas tyre, mund të pengohej përhapja e komunizmit në Azinë Juglindore.

Kenedi kishte tjetër mendim; ai nuk donte të rriste angazhimin ushtarak në Vietnamin e Jugut. Ai dëshironte paqe kudo në botë.

Më 5 tetor 1963, më pak se dy muaj para se të vritej në Dallas, Kenedi nënshkroi dekretin për tërheqjen dhe kthimin në shtëpi, deri në fund të vitit 1965, të të gjithë këshilltarëve amerikanë nga Vietnami i Jugut. 1 000 këshilltarët e parë do të tërhiqeshin deri në fund të dhjetorit të vitit 1963.

Politika e re ndaj Vietnamit të Jugut i tërboi ushtarakët amerikanë, Pentagonin, CIA-n dhe industrinë e luftës. Ajo u bë edhe gozhda e fundit në arkivolin e Kenedit.

Më 22 nëntor 1963, pas më pak se dy muajsh nga ky vendim, Kenedi u vra në Dallas. Më 26 nëntor 1963, katër ditë pas vrasjes së Kenedit, Presidenti i sapoemëruar Johnson, që e zëvendësoi Kenedin, anuloi vendimin e mësipërm dhe gradualisht dërgoi rreth 500 mijë trupa tokësore në Vietnamin e Jugut. (10)

d) Marrëdhëniet me CIA-n
Raportet e Kenedit me CIA-n, megjithëse ajo e ndihmoi të fitonte zgjedhjet e vitit 1960, u përkeqësuan që në muajt e parë të pushtetit për shkak të ngjarjeve në Gjirin e Derrave. Kenedi krijoi mendimin që CIA e futi në një aventurë që dihej se do të dështonte, në mënyrë që më pas të ndërhyhej ushtarakisht në Kubë.

Pas dështimit në Gjirin e Derrave, Kenedi shkarkoi Drejtorin e CIA-s, Allen Dulles, zv.drejtorin Charles Cabell dhe Drejtorin e operacioneve klandestine, Richard Bissell. Në një bisedë me vëllain e tij, Robertin, Presidenti Kenedi u shpreh se do ta griste CIA-n si letër në një milion copa dhe do t’i hidhte ato nga dritarja.

Shpejt ai reduktoi kompetencat e CIA-s dhe zvogëloi buxhetin e Agjencisë me 25%. Këto vendime ngulën gozhdën e parë në arkivolin e Kenedit. Pas vrasjes së Kenedit, Allen Dulles u caktua këshilltar i Komisionit Warren. Shumë historianë janë të mendimit që ai u caktua këshilltar në Komision për të fshehur të vërtetën dhe jo për ta zbuluar atë. (11)(12)

e) Marrëdhëniet me FBI-në
Në rrethet politike të Washington-it ishte e njohur urrejtja e John Edgar Hoover-it, Drejtorit legjendar të FBI-së, për vëllezërit Kenedi. Me ardhjen në pushtet, Kenedi deshi ta zëvendësonte Hoover-in, por ngurroi ta bënte. Ai u frikësohej dosjeve që Hoover mund t’i bënte publike për lidhjet e tij me femrat dhe Mafian.

Marrëdhëniet midis tyre u përkeqësuan pas ngjarjeve në Gjirin e Derrave dhe krizës së raketave, pasi Kenedi mendonte që Hoover nuk ndante me të informacione të rëndësishme për sigurinë kombëtare. (13)

Hoover ishte tepër i fuqishëm dhe i frikshëm për politikën në Washington. Kur Johnson mori presidencën, një mik i tij e pyeti: “Përse nuk e shkarkon Hoover-in? Ai jo vetëm që ka 40 vjet në krye të FBI-së, por ka nga një dosje për secilin prej nesh dhe na bën shantazh kur i duhet”.

Johnson, pasi e dëgjoi, iu përgjigj: “Është më mirë ta mbajmë brenda e të pështyjë jashtë, sesa ta lëmë jashtë e të na pështyjë brenda”.

Asnjë nga 8 presidentët me të cilët Hoover punoi nuk guxoi ta prekte. Ai qëndroi në krye të BOI-t, paraardhëses së FBI-së, për 11 vjet, nga viti 1924 deri në vitin 1935, dhe 37 vjet në krye të FBI-së, nga viti 1935, kur ajo u krijua, deri në vdekjen e tij në maj të vitit 1972.

f) Korporatat e naftës e gazit, veçanërisht ato të Teksasit
Kur Kenedi erdhi në pushtet, si edhe Nixon-i 10 vjet më vonë, deklaroi që do të hiqte subvencionin prej 27,5% të kostos së nxjerrjes së naftës, e cila u subvencionohej kompanive të naftës, si dhe do t’u rriste tatimin mbi fitimin me 300 milionë dollarë në vit. Subvencionet u jepeshin kompanive amerikane për të përballuar konkurrencën e kompanive të vendeve të Gjirit. Heqja e subvencioneve dhe rritja e tatimit mbi fitimin do të prekte ndjeshëm fitimet e korporatave të naftës dhe gazit, sidomos atyre me bazë në Teksas.

Kenedi e shpalli planin për heqjen e subvencioneve dhe rritjen e tatimit mbi fitimin për kompanitë e naftës në janar të vitit 1963, por plani nuk arriti të zbatohej dhe më pas u anulua, sepse Kenedi u vra më 22 nëntor 1963 në Dallas të Teksasit. Dy tentativa të tjera per ta vrarë në Çikago më 2 nëntor 1963 dhe në Tampa të Floridës më 18 nëntor 1963 dështuan. (14)

g) Emigrantët kubanë
Kubanët e vendosur në Miami patën shumë pritshmëri nga Kenedi për rrëzimin e regjimit të Castro-s. Dështimi i ndërhyrjes në Gjirin e Derrave e ktheu dashurinë në urrejtje. Urrejtja e tyre u bashkua me atë të oficerëve të CIA-s, të cilët kishin trajnuar trupat e emigrantëve dhe kishin planifikuar e zbatuar ndërhyrjen në Gjirin e Derrave.

Pas krizës së raketave, Kenedi, në zbatim të marrëveshjes me sovjetikët, ndaloi aktivitetin subversiv kundër Castro-s të kubanëve në Miami. Disa nga udhëheqësit kubanë në Miami, si Pepe San Roman, Erneido Oliva, Felix Rodriguez, Manuel Artime, Antonio Veciana etj., jo vetëm që e kundërshtuan ndalimin e aksioneve, por i vazhduan ato dhe disa prej tyre rezulton se ishin të përfshirë në ngjarjet në Dallas. (15)

h) Mafia
Në fushatën e vitit 1960 për zgjedhjet presidenciale, Kenedi pati marrëdhënie të mira me disa nga kokat e Mafias në Amerikë. Kjo kryesisht për shkak të lidhjeve që kishte krijuar i ati i tij, Joseph Kennedy. Madje Richard Nixon bën fajtore Mafian për humbjen e tij shumë të ngushtë ndaj Kenedit në Teksas dhe Çikago në zgjedhjet e vitit 1960, humbje që atij i kushtoi presidencën.

Pasi u zgjodh President, Kenedi emëroi Prokuror të Përgjithshëm vëllain e tij, Robert Kenedi. Roberti pa vonesë nisi kryqëzatë të pamëshirshme ndaj Mafias. Kjo mjaftoi që edhe Mafia të kthehej në një armike po aq të egër ndaj vëllezërve Kenedi.

Sipas Robert Blakey-t, ish-prokuror i Departamentit të Drejtësisë dhe Kryetar i Këshilltarëve të Komisionit të Senatit për hetimin e vrasjes së Kenedit, krerë të Mafias si Carlos Marcello, Santo Trafficante dhe Sam Giancana bashkëpunuan me forca të tjera për ta vrarë Presidentin në Dallas. (16)(17)

Çfarë ndodhi në Dallas më 22 nëntor 1963?
Tre vjet para ngjarjeve në Dallas, CIA kishte miratuar një plan që, si pjesë të tij, kishte ngritur një grup qitësish, të cilët stërviteshin për atentat ndaj Fidel Castro-s. Operacioni njihet si operacioni Mongoose. Qitësit stërviteshin duke goditur në distancë shalqinj të vendosur në vetura që lëviznin me shpejtësi. Pas ca kohësh grupi e ndërroi objektivin. Objektivi i ri ishte Presidenti Kenedi.

Për vrasjen e Kenedit, sipas historianëve që e kanë hulumtuar atë, janë bërë tre tentativa gjatë muajit nëntor 1963. Fillimisht u tentua ta vrisnin gjatë vizitës së Kenedit në Çikago, por forcat e sigurisë të Presidentit u paralajmëruan për komplotin. Tentativa e dytë u bë në Tampa, por karvani i Presidentit ndërroi rrugë për të shkuar në vendin e konferencës ku ai do të merrte pjesë.

Tentativa e tretë u bë në Dallas. Në të vërtetë, shumë njerëz të ngushtë të Kenedit e paralajmëruan të mos shkonte në Dallas, pasi ky qytet ishte qendra e të djathtës ekstreme. Ekstremistët kishin kërcënuar që do ta vrisnin Presidentin nëse do të vinte në Dallas. Kenedi kishte dyshime, por vendosi të mos e anulonte vizitën, pasi prej shumë muajsh kishte premtuar që do të shkonte në Dallas.

Me faktet që janë zbuluar sot, askush me mend në kokë nuk pranon që Kenedin e vrau Lee Harvey Oswald, aq më tepër i vetëm. Shumë autorë mendojnë që ai as nuk shtiu. Ai u përdor nga organizatorët për të mbuluar autorët e vërtetë të vrasjes. Madje Oswald, kur u arrestua, u shpreh se: “Nuk e kam vrarë unë, unë jam vetëm një ‘patsy’ (mbuluesi i përdorur nga të tjerët për të mos u zbuluar)”. (18)

Një nga autorët më të besueshëm, juristi dhe këshilltari i Komisionit të Senatit për hetimin e vrasjes së Presidentit Kennedy, Gaeton Fonzi, pretendon që ka zbuluar ata të cilët qëlluan. Sipas tij, kubanët Virgilio Gonzalez, Eugenio Martinez, si dhe agjentët e CIA-s Bernard Barker e Frank Sturgis, goditën nga kati i gjashtë i depos së librave shkollorë dhe gardhi i zonës me bar përballë karvanit të veturave.

Operacioni drejtohej nga Howard Hunt, përgjegjës i CIA-s për ndërhyrjen në Gjirin e Derrave. Të pestë këta kanë qenë operativë të CIA-s dhe, së bashku me James McCord, hynë në hotelin Watergate, në zyrat e Partisë Demokratike, në atë që njihet si skandali Watergate. (19)

Dy autorë të tjerë, Rob Reiner dhe Dick Russell, në podkastin “Kush e vrau Kenedin”, episodi i 10-të, pas kërkimeve që kanë bërë, shprehen se ata që qëlluan ishin kubanezi Herminio Diaz Garcia, Jean Souêtre (vrasës francez që tentoi të vriste Presidentin De Gaulle), Charles Nicoletti (vrasës mafioz nga Çikago, të cilin e vranë pak para se të dëshmonte në Komisionin e Senatit që hetonte vrasjen e Presidentit Kennedy) dhe Jack Cannon, operativ i CIA-s. Operacioni u drejtua nga Bill Harvey, zyrtar i lartë i CIA-s, i cili ishte përgjegjës i operacionit Mongoose për vrasjen e Fidel Castro-s, por që më pas ndërroi objektivin te Presidenti Kennedy. (20)

Autorë të tjerë, si gazetari i njohur Anthony Summers dhe historiani John Newman, cilësojnë CIA-n si organizatore dhe ekzekutuese të vrasjes së Kenedit, por pa u ndalur në emra të veçantë se kush e qëlloi. (21)

Në vitin 2007, Saint John Hunt Jr., i biri i Howard Hunt-it, në një intervistë në revistën Rolling Stone, bazuar ne kujtimet e të atit, identifikoi si urdhërues të vrasjes së Presidentit Kennedy Zëvendëspresidentin Lyndon Johnson dhe si organizatorë numrin tre të CIA-s, Cord Meyer, tre zyrtarë të tjerë të lartë të CIA-s — David Atlee Phillips, Bill Harvey dhe David Morales — së bashku me një nga drejtuesit e emigrantëve kubanë në Miami, Antonio Veciana.

Saint John Hunt Jr. u shpreh se i ati, Howard Hunt, kur ishte në shtratin e vdekjes, pranoi që më 22 nëntor 1963 kishte qenë në Dallas. Kjo gjë deri atëherë ishte mohuar vazhdimisht nga Howard Hunt, madje duke hedhur në gjyq dy revista amerikane që e akuzonin atë se kishte qenë në Dallas më 22 nëntor 1963. (22)

Gjatë hetimeve të Komisionit Warren, mediat publikuan një foto të tre këmbësorëve të arrestuar menjëherë pas vrasjes së Presidentit Kenedi. Ata po shoqëroheshin në polici nga një polic i Dallasit. Çuditërisht, ata u liruan menjëherë pasi u paraqitën në polici.

Në vitin 1974, kërkuesi investigativ Allen Weberman, nëpërmjet analizave shkencore fotografike, identifikoi dy prej tyre si Howard Hunt dhe Frank Sturgis. (23)

Pas vrasjes së Kenedit, një mori individësh të lidhur me këtë vrasje, në rrethana mjaft të çuditshme, u vranë, pësuan atak kardiak ose kancer akut. CIA punonte prej kohësh në një program për eliminimin e kundërshtarëve nëpërmjet stimulimit të atakut kardiak ose shkaktimit të kancerit akut. Disa nga personat që patën këtë fat janë:

Manuel Artime, drejtues i grupit kuban Alpha 66, vdiq nga kanceri akut në moshën 44-vjeçare, disa ditë para se të dëshmonte në Komisionin e Senatit Schweiker.

Baroni George de Mohrenschildt, kontingjent i CIA-s dhe kujdestari i Lee Harvey Oswald-it, vdiq nga kanceri akut (ose vetëvrasje e dyshimtë).

Mary Meyer, shkrimtare, piktore, gruaja e Cord Meyer-it (numri tre i CIA-s) dhe e dashura e John Kenedit, u vra teksa vraponte në rrethinat e Washington D.C.-së. Ditarin që ajo mbante dhe që kishte shumë shënime në lidhje me Kenedin ia rrëmbeu nga studioja kunati i saj, Ben Bradlee, Drejtor Ekzekutiv i gazetës Washington Post, së bashku me Drejtorin e Kundërzbulimit të CIA-s, James Angleton.

Sam Giancana, drejtues i Mafias, u vra në shtëpinë e tij pak ditë para se të dëshmonte në Komisionin Schweiker.

Johnny Roselli, një nga krerët e Mafias në SHBA, u vra pak ditë pasi dëshmoi në Komisionin Schweiker për tentativat e CIA-s për vrasjen e Fidel Castro-s. Trupi i tij u gjet i prerë në copa, i futur në një fuçi që lundronte në oqean në afërsi të Miamit.

Winston Scott, Shefi i CIA-s në Meksikë, organizoi operacionin e rremë (fake) sikur Lee Harvey Oswald u paraqit në ambasadat e BRSS-së dhe Kubës në Meksikë dy muaj para se të vritej Presidenti Kenedi. Pasi përfundoi detyrën në Meksikë, vendosi që, kundër vullnetit të CIA-s, të botonte kujtimet nga karriera si zbulues. Vdiq nga ataku kardiak. Kujtimet e tij iu rrëmbyen në shtëpi nga Drejtori i Kundërzbulimit të CIA-s, James Angleton.

Charles Nicoletti, vrasës mafioz dhe kontingjent i CIA-s, u vra pak para se të dëshmonte në Komisionin Schweiker.

Sot pak njerëz vazhdojnë të mendojnë se vrasja e Presidentit Kenedi nuk ishte një konspiracion i institucioneve dhe individëve më të rëndësishëm të kohës në SHBA. Identifikimi i hollësishëm i tyre ndoshta pret publikimin e dokumenteve që ende mbahen sekret shtetëror. Mundësia tjetër është që të vërtetën se çfarë ngjau në Dallas më 22 nëntor 1963 të mos e mësojmë kurrë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo