Mashtronte kinse vuante nga leukemia, arrestohet në Gjilan pasi dyshohet se përmes “GoFundMe” grumbulloi mbi 189 mijë euro
Një person me inicialet E.A. është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin se kishte mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë duke pretenduar rrejshëm se vuante nga leukemia akute. Përmes një fushate në platformën “GoFundMe”, ai dyshohet se kishte grumbulluar 189 mijë e 206 euro e tetë cent. Prokuroria ka bërë të ditur se paratë janë bllokuar në llogaritë bankare të evidentuara lidhur me rastin, raporton Veriu.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person i cili dyshohet se kishte sajuar një histori të pavërtetë për gjendjen e tij shëndetësore, me qëllim të përfitimit pasuror.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari që nga 9 nëntori 2026 kishte pretenduar se ishte i prekur nga sëmundja e “Leukemisë Akute”, duke kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët.
“Dyshohet se nga data 09 nëntor 2026 me qëllim të përfitimit pasuror ka sajuar një ngjarje të pa qenë ku aludonte se është i prekur nga sëmundja e ‘Leukemisë Akute’, gjë që pas verifikimit të historisë së tij i njëjti nuk vuante nga një sëmundje e tillë”.
Prokuroria bën të ditur se i dyshuari kishte hapur edhe një fushatë në platformën “GoFundMe”, përmes së cilës kishte zhvilluar aktivitet për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe diasporë.
Shuma e grumbulluar, sipas Prokurorisë, arrin në 189 mijë e 206 euro e tetë cent.