Qyteti i Yonkers në New York do të organizojë ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit shqiptar, në nder të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe trashëgimisë së tij kombëtare, në prag të festës së 28 Nëntorit.
Ceremonia do të mbahet të hënën, më 23 nëntor 2026, nga ora 16:00 sipas kohës lokale, në Washington Park – Middle Grounds, pranë ndërtesës së Bashkisë së Yonkers, në anën e South Broadway.
Njoftimi është publikuar në faqen zyrtare të qytetit në Facebook, ku kryetari Mike Spano dhe autoritetet lokale kanë ftuar komunitetin shqiptaro-amerikan të marrë pjesë në këtë ngjarje.
“Bashkohuni me kryetarin Mike Spano dhe anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan në ceremoninë e ngritjes së flamurit”, thuhet në ftesën e publikuar nga autoritetet e qytetit.
Ceremonia do të organizohet pesë ditë para 28 Nëntorit, datës që shënon shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe që festohet nga shqiptarët në mbarë botën.
Ngritja e flamurit kuqezi në një hapësirë publike të qytetit amerikan përbën një moment simbolik për komunitetin shqiptaro-amerikan, duke vënë në pah identitetin kombëtar, kulturën dhe lidhjen me vendin e origjinës.
Përmes kësaj ceremonie, synohet të bashkohen shqiptarët që jetojnë në Yonkers dhe zonat përreth, në shenjë të festimit të një prej datave më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare./Arbresh.info