5 vite nga Regjistrimi i Popullsisë, komuna e Gazi Babës ende nuk po zbaton gjuhën shqipe

Komuna e Gazi Babës në Shkup ende po vazhdon të injoroj zbatimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare konform ligjit.

Thuajse më shumë se pesë vite nga shpallja e rezultateve të regjistrimit të popullsisë, kjo komunë nuk po zbaton gjuhën shqipe, duke filluar nga tabelat, mbishkrimet e tjera, faqja e internetit, dokumente zyrtare të rëndësishme për planet komunale dhe të tjera.

Faqja e internetit së fundi aplikon një përkthim nga google, ku nëse klikohet gjuha, dalin gjitha gjuhët e google, dhe jo përkthim adekuat në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Me regjistrimin e fundit të popullsisë të 2021, shqiptarët në këtë komunë dolën mbi 20% të popullsisë, duke plotësuar kushtin e përdorimit të gjuhës së tyre në nivel komunal, derisa deri atëherë ishin 17%.

Kryetari i komunës, Boban Stevkosvski disa herë ka theksuar se po punon në atë drejtim, por nuk dha afate se kur do të ndodhë plotësimi i të gjitha kjo.

I pyetur se përse nuk po vendoset tabela me mbishkrimin në shqip, ai nuk ka ndonjë afat.

Shqiptarët në këtë komunë në zgjedhjet e fundit lokale arritën të sigurojnë vetëm 2 këshilltarë, njëri nga VLEN dhe një nga koalicioni AKI, derisa VMRO-DPMNE dominon me numrin e këshilltarëve, duke formuar edhe pushtetin e qeverisjes.

Sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve të 2018, institucionet obligohen që në afat prej gjashtë muajsh fillimisht t’i ndryshojnë emrat ose mbishkrimet në hyrje të institucionit dhe t’i shkruajnë ato njësoj në shqip dhe maqedonisht, me madhësinë e njëjtë dhe pamjen e njëjtë. Përveç kësaj, institucionet dhe njësitet rajonale obligohen t’i bëjnë në dy gjuhë edhe vulat e tyre. Një vit nga hyrja në fuqi e ligjit, institucionet duhet t’i zbatojnë ndryshimet tërësisht. Por, me këtë komunë kjo nuk ka ndodhur. Për ata institucione që nuk do të zbatojnë këto ndryshime ligjore, do të shqiptohen gjoba prej 4 deri në 5 mijë euro.( INA)

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo