Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, uroi të gjithë qytetarët, duke theksuar se pavarësia është një arritje historike, por njëkohësisht edhe përgjegjësi e përbashkët për ndërtimin e një shteti të fortë, të drejtë dhe evropian.
„Pavarësia është një nga arritjet më të rëndësishme të historisë sonë moderne, por mbi të gjitha është përgjegjësi që çdo ditë ta ndërtojmë dhe ta forcojmë shtetin tonë“, theksoi Shasivari.
Sipas tij, një shtet i fortë është ai ku ligji është i barabartë për të gjithë, drejtësia është e pavarur, ndërsa institucionet janë profesionale, të përgjegjshme dhe të besueshme.
„Maqedonia e Veriut është shtet i qytetarëve të ndryshëm, por me një të ardhme të përbashkët. Diversiteti ynë etnik, gjuhësor dhe kulturor nuk është dobësi, por vlerë dhe forcë e shtetit tonë“, tha Ministri i Drejtësisë.
Shasivari thekson se perspektiva evropiane e vendit duhet të ndërtohet përmes reformave konkrete, sundimit të ligjit dhe institucioneve funksionale.
„Si Ministër i Drejtësisë, besoj se rruga drejt Bashkimit Evropian kalon përmes sundimit të ligjit, reformave të qëndrueshme, respektimit të të drejtave të njeriut, barazisë para ligjit dhe institucioneve që ofrojnë drejtësi për të gjithë, pa dallim“, theksoi Shasivari.
Ai shton se standardet evropiane nuk arrihen vetëm me deklarata, por me rezultate konkrete dhe institucione që u shërbejnë qytetarëve.
„Evropa nuk ndërtohet vetëm me deklarata. Evropa ndërtohet me ligje të mira, institucione të forta dhe drejtësi që funksionon“, porositi Shasivari.
Në urimin e tij, Ministri i Drejtësisë u bëri thirrje qytetarëve që së bashku të vazhdojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për vendin.
„Ky vend është nderi ynë, e ardhmja jonë dhe dashuria jonë. Zgjedhja jonë e vërtetë është ta ndërtojmë, ta forcojmë dhe ta lartësojmë për brezat që vijnë“, theksoi Shasivari.
Me rastin e 8 Shtatorit, Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari uroi të gjithë qytetarët:
„Gëzuar 8 Shtatorin – Ditën e Pavarësisë!
Pavarësia na bashkon. Drejtësia na barazon. Evropa është e ardhmja jonë.
Qoftë gjithmonë e bekuar Maqedonia jonë!“