Një konflikt mes disa personave në orët e para të mëngjesit përfundoi me një viktimë dhe dy të plagosur në Shkodër.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, pas një konflikti për motive të dobëta, 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 63-vjeçarit Qamil Luli dhe djalit të tij, 24-vjeçarit Ylber Luli, shkruan Euronews.al transmeton Klankosova.tv.
Të dy u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 24-vjeçari Ylber Luli nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë.
Gjatë konfliktit, edhe Andri Vulaj ka mbetur i plagosur me thikë. Ai është kapur dhe shoqëruar nga shërbimet e Policisë, ndërsa në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur në ngjarje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e autoriteteve kompetente, po punon për të zbardhur rrethanat dhe dinamikën e plotë të konfliktit, si dhe për të përcaktuar përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.