Papa Leoni: Bota po shkatërrohet nga një grusht tiranësh

Kreu i Vatikanit, Papa Leoni ka deklaruar se bota po “shkatërrohet nga një grusht tiranësh”, disa ditë pas një përplasjeje publike me presidentin amerikan Donald Trump, transmeton Anadolu.

“Mjeshtrit e luftës bëjnë sikur nuk e dinë se mjafton vetëm një moment për të shkatërruar, ndërsa shpesh nuk mjafton as një jetë e tërë për të rindërtuar”, tha ai gjatë një fjalimi në Kamerun.

“Ata mbyllin sytë përballë faktit se miliarda dollarë shpenzohen për vrasje dhe shkatërrim ndërsa burimet e nevojshme për shërim, arsim dhe rindërtim nuk gjenden askund”, shtoi ai.

Leoni, papa i parë nga SHBA-ja, gjithashtu dënoi liderët që përdorin fenë për të justifikuar luftën.

“Mjerë ata që manipulojnë fenë dhe vetë emrin e Zotit për përfitimet e tyre ushtarake, ekonomike dhe politike, duke tërhequr atë që është e shenjtë në errësirë dhe ndyrësi”, tha Papa.

Deklaratat e tij vijnë pas komenteve të fundit nga zyrtarë amerikanë, përfshirë presidentin Trump dhe sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, të cilët thanë se “Zoti mbështet luftën e SHBA-së në Iran”.

Papa Leoni gjithashtu bëri thirrje për një “ndryshim vendimtar kursi” drejt paqes gjatë një takimi në Bamenda, qyteti më i madh anglishtfolës në Kamerun.

Të dielën, Trumpi shkroi në rrjetet sociale se “Leoni duhet të përqendrohet në detyrën si Papë, të përdorë sensin e përbashkët, të ndalojë së favorizuari të majtën radikale dhe të fokusohet të jetë një Papë i madh, jo politikan”. Ai gjithashtu mori merita për zgjedhjen e Leonit si Papë.

Të hënën, Papa Leoni u përgjigj duke thënë se “nuk ka frikë nga administrata e Trumpit”.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo