Një grua 50-vjeçare, e cila ishte shpallur e vdekur në tru nga mjekët dhe pa asnjë shans real për t’u shëruar, rifitoi mrekullisht vetëdijen kur ambulanca që po e transportonte goditi një gropë të madhe në rrugë.
Ky incident, i cili ngjan më shumë me një skenar filmi sesa me një raport mjekësor, ka lënë pa fjalë komunitetin shkencor dhe ka ndezur debate të forta mbi saktësinë e diagnostikimit të vdekjes cerebrale në kushte emergjence.
Vineeta Shukla, një punonjëse e administratës gjyqësore në Pilibhit në shtetin Uttar Pradesh, Indi, pësoi një kolaps të rëndë më 22 shkurt ndërsa po kryente punët e shtëpisë.
Ajo u dërgua me urgjencë në një spital të zonës, por për shkak të seriozitetit të gjendjes, u transferua në një strukturë mjekësore më të avancuar në Bareilly. Atje, pas një sërë analizash të hollësishme, mjekët u dhanë lajmin e zi familjarëve: Vineeta kishte pësuar vdekje në tru.
Pasi diskutoi me stafin mjekësor, bashkëshorti i saj, Arvind Shukla, mësoi se nuk kishte më asnjë shpresë. Reflekset e trurit të saj mungonin plotësisht dhe niveli i vetëdijes ishte vetëm 3 pikë në Shkallën e Komës së Glasgout (GCS), niveli më i ulët i mundshëm që tregon gjendje vegjetative, krahasuar me 15 pikët e një personi të shëndetshëm.
E dërrmuar shpirtërisht, familja vendosi ta nxirrte nga spitali për ta dërguar në shtëpi, që ajo të kalonte çastet e fundit pranë njerëzve të dashur përpara se të kryheshin ritet e fundit.
Më 24 shkurt, ndërsa ambulanca po lëvizte me shpejtësi në autostradën pranë Hafizganj,mjeti ndeshi në një gropë të madhe dhe të thellë, duke shkaktuar një dridhje tejet të fuqishme.
Arvind tregon se në atë moment trupi i gruas u hodh përpjetë nga barela. Pothuajse menjëherë pas goditjes, ajo nisi të merrte frymë normalisht dhe hapi sytë. “Dukej sikur ajo goditje e fortë e ‘rindezi’ trurin e saj”- u shpreh ai për mediat lokale, duke e cilësuar ngjarjen si një ndërhyrje hyjnore përmes rrugëve të prishura.
Pasi u dërgua sërish në spital, Vineeta i habiti mjekët të cilët më parë nuk i kishin dhënë asnjë shans. Dr.Rahul Singh, i cili ndoqi rastin pas “zgjimit”, deklaroi se ky është një fenomen ekstremisht i rrallë, ku një stimul i fortë fizik (tronditja) mund të ketë shkaktuar një reagim neurologjik të papritur.
Sot, ajo është kthyer në shtëpi, flet me familjarët dhe madje ka filluar të ushqehet vetë. Megjithatë, kjo “mrekulli” mban me vete një ironi të hidhur. Ndërsa për Vineetën gropa ishte shpëtim, për mijëra të tjerë ajo është fatale.
Statistikat zyrtare tregojnë se midis viteve 2020-2024, gropat në rrugët e Indisë kanë shkaktuar 9.438 vdekje. Ky rast mbetet një anomali statistikore por edhe një histori shprese që vjen nga një prej problemeve më të mëdha të infrastrukturës në këtë vend. /tesheshi.com/