Elitat e pabalancuara: një sfidë strategjike për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Arben Llalla

Partitë politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, gjatë dy dekadave të fundit, nuk kanë arritur të ndërtojnë një strategji të qëndrueshme për përgatitjen e elitave politike dhe kombëtare. Ky është një problem i thellë strukturor, që vjen si pasojë e mungesës së vizionit afatgjatë dhe orientimit të gabuar në formimin e brezave të rinj.

Në vend që të investohet në edukimin e elitave shtetformuese me diploma të merituara dhe jo thjesht e kam një fiplom në shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare, ekonomi, administratë publike, siguri dhe diplomaci – fokusi është zhvendosur, në mënyrë të pavetëdijshme ose të orientuar, drejt formimit fetar–teologjik. Kjo nuk është e gabuar në vetvete, por bëhet problem kur struktura e përgjithshme e elitave kombëtare mbetet e pabalancuar dhe e paaftë të përfaqësojë interesat e shqiptarëve në nivelet më të larta të vendimmarrjes.

Në të kundërt, pala maqedonase ka vepruar me një vizion shumë më të qartë dhe me synime strategjike afatgjata. Për më shumë se 20 vite, sipas politikave të tyre institucionale, ata kanë dërguar rregullisht rreth 1.000 studentë në Rusi, në programe të specializuara për formimin e elitave. Këta të rinj mbështeten financiarisht, hyjnë në studime 18-vjeçarë dhe kthehen pas një dekade të përgatitur me mastera, doktoratura dhe me një bagazh të gjerë akademik e profesional.

Kjo qasje ka krijuar një elitë të konsoliduar, të aftë të artikulojë, të negociojë dhe të mbrojë interesat e palës sllave në çdo front – politik, administrativ dhe ndërkombëtar. Fatkeqësisht, elitat shqiptare nuk arrijnë t’i përballojnë dot në të njëjtin nivel, jo për mungesë talenti, por për mungesë investimi, orientimi dhe mbështetjeje institucionale.

Ky disproporcion është shqetësues për të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. E ardhmja e një komuniteti varet nga cilësia e elitave që prodhon dhe nga serioziteti me të cilin planifikon formimin e tyre.

Prandaj është koha që politika shqiptare të rishqyrtojë prioritetet, të zhvendoset nga improvizimi tek strategjia, nga spontaniteti tek investimi serioz në arsim dhe formim. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët mund të ndërtojnë një elitë të denjë, të barabartë dhe të aftë të mbrojë interesat kombëtare në dekadat që vijnë.