Franca do të dislokojë afër 70.000 policë në mbarë vendin, teksa përgatitet për protesta të reja të shtunën pas shpërthimit të disa prej episodeve më të ashpra të dhunës urbane ndër vite, gjatë protestave të mbajtura një javë më parë.
Protestat e nxënësve të shkollave të mesme që kërkojnë kushte më të mira mësimi nxitën një lëvizje që më pas u përhap në mbarë vendin, e nxitur nga pakënaqësia më e gjerë për rritjen e kostos së jetesës.
Rreth 70.000 pjesëtarë të forcave të sigurisë do të angazhohen të shtunën, tha ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, gjatë një konference për media në Paris, duke paralajmëruar se në rrjetet sociale po qarkullojnë thirrje për dhunë dhe plaçkitje.
Protesta gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen edhe në Shqipëri, ku studentët për ditë të tëra po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të Qeverisë së tij.
Ndërkaq, protestat po zhvillohen në një moment kritik për Francën, gjashtë muaj para zgjedhjeve për zëvendësimin e presidentit Emmanuel Macron. Një sondazh i ri e nxjerr kandidaten e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, si kandidate favorite dhe tregon se pozita e saj është forcuar nga zhvillimet e fundit.
Tensionet janë shtuar edhe për shkak se Le Pen pritet të organizojë gjatë fundjavës kongresin e partisë së saj, Tubimi Kombëtar (RN), në Orlean. Aty pritet të marrin pjesë mijëra mbështetës, teksa autoritetet lokale druhen se do të ketë përleshje, pasi edhe kundërprotestuesit do të protestojnë në qytetin në jug të Parisit.
Macron u takua të premten me përfaqësues të nxënësve të shkollave të mesme, por pas bisedimeve, këta të fundit u bënë thirrje nxënësve të vazhdojnë protestat derisa qeveria franceze të paraqesë propozime konkrete për adresimin e kërkesave të tyre.
Qeveria e Macronit është përpjekur të bëjë dallimin mes kërkesave legjitime të protestuesve dhe plaçkitjeve, djegieve e shkatërrimeve që shpërthyen në protestat gjatë fundjavës së kaluar.
Gjykatat tashmë kanë dërguar në paraburgim 217 persona për ngjarjet e së shtunës së kaluar, gjysma e të cilëve nuk kishin të kaluar kriminale, tha ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin.
Të enjten, Macron bëri thirrje për “ashpërsinë më të madhe” ndaj “akteve kriminale”, duke akuzuar grupet e “së majtës ekstreme” se fundjavën e kaluar kishin synuar “ta rrëzonin republikën”.
Një grup i së majtës ekstreme në Francën perëndimore publikoi në faqen e tij të internetit një thirrje për mbështetësit që “të mos kapen nga policia, të jenë të paparashikueshëm dhe t’i shmangen policisë” së dislokuar.
Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë dhe kanë vendosur kufizime ndaj protestave.
Në Orlean, 20.000 deri në 30.000 persona pritet të kundërshtojnë tubimin e Le Pen, por autoritetet kanë ndaluar që protestuesit të tubohen në qendër të qytetit.
Edhe në qendër të Lionit, autoritetet kanë vendosur ndalesë për protestuesit gjatë kësaj fundjave. Në Paris, ndërkaq, autoritetet kanë refuzuar disa kërkesa për tubimin e protestuesve në disa pjesë të qytetit.
Autoritetet në Marsej po ashtu kanë ndaluar organizimin e protestave, por të premten autoritetet thanë se shoqatat e punëtorëve do të lejohen të protestojnë në pjesën jugore të qytetit.
Kufizimet dhe ndalimet e organizimit të protestave në disa qytete kanë nxitur kritika.
Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, dënoi atë që e cilësoi si “rrëshqitje drejt praktikave autoritare”, duke thënë se masat po “rrezikojnë të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore”.
Këtë fundjavë do të angazhohen rreth 20 për qind më shumë pjesëtarë të forcave të sigurisë, pas pikëpyetjeve mbi gatishmërinë e policisë franceze dhe mbledhjen e informacioneve të inteligjencës para shpërthimit të dhunës javën e kaluar.
“Policia ka përgjegjësi si të sigurojë që protestat të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe të sigurt, ashtu edhe ta mbrojë publikun nga trazirat e dhunshme”, tha Eva Cosse, hulumtuese e lartë për Evropën në Human Rights Watch.
Ajo shprehu shqetësim për raportimet se fëmijë janë lënduar rëndë nga armët që përdoren për kontrollin e turmave gjatë tubimeve të fundit.
Dhuna ka dëmtuar imazhin e Francës në prag të zgjedhjeve që mund të shënojnë një pikë kthese në historinë e saj moderne, teksa edhe borxhi i madh i qeverisë po shqetëson investitorët.
Një sondazh i ri i realizuar nga Harris Interactive për M6/RTL pas shpërthimit të dhunës tregoi se Le Pen kryesonte bindshëm, me 33-35 për qind të mbështetjes në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
Sondazhi parashikoi se lideri i së majtës radikale, Jean-Luc Melenchon, do të përballej me të në balotazh, ku Le Pen do të fitonte lehtësisht, duke siguruar rreth 70 për qind të votave.