Ministria e Shëndetësisë: 9 persona të lënduar, 7 protestues dhe 2 gazetarë





Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përditësuar informacionin mbi personat e lënduar gjatë protestës së zhvilluar këtë të shtunë, më 24 tetor, në Tiranë.

Sipas të dhënave paraprake të strukturave spitalore dhe poliklinikave, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 9 persona të lënduar, mes tyre 7 protestues dhe 2 përfaqësues të medias.

Referuar njoftimit të Ministrisë, njëri prej protestuesve ka pësuar dëmtime në sy dhe po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga 9 personat e paraqitur në Traumë, 5 kanë lënë spitalin pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm. Ndërkohë, 4 protestues vijojnë ekzaminimet dhe trajtimin mjekësor.

Edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur dy persona, një protestues dhe një efektiv policie. Të dy kanë marrë ndihmën mjekësore dhe janë larguar nga spitali.

Ndërkohë, në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë janë paraqitur dy efektivë policie me dëmtime në sy. Pas marrjes së trajtimit të nevojshëm, edhe ata kanë lënë ambientet e poliklinikës.

Informacioni i Ministrisë së Shëndetësisë për gjendjen e të lënduarve është publikuar në orën 19:45 dhe mbështetet në të dhënat paraprake të strukturave shëndetësore.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo