Eurodeputetët me letër urgjente, “t’i tërhiqen fondet Hungarisë”

Në një letër urgjente, të nënshkruar bashkërisht nga përfaqësues të disa grupeve parlamentare në Parlamentin Evropian, europarlamentarët kërkojnë që të gjitha fondet e BE-së për Hungarinë të tërhiqen përgjithmonë. Sanksionet e mëparshme, siç deklarojnë ata, nuk kanë sjellë rezultate.

Kjo është një thirrje shumë e qartë nga Parlamenti Evropian drejtuar Komisionit Europian për të rritur presionin ndaj Hungarisë. Deputetët kristiandemokratë, socialdemokratë, liberalë dhe të gjelbër duan që më në fund t’ia mbyllin rubinetin qeverisë së Viktor Orbánit, thonë nga Partia Liberale Gjermane. Orban po ndërmerr veprime gjithnjë e më të rrepta kundër pakicave dhe organizatave joqeveritare.

Kështu, në mesin e marsit, qeveria e tij miratoi një ligj që kufizon në mënyrë drastike lirinë e tubimit, më pas gjatë këtij muaji shtrëngoi më tej masat kundër organizatave joqeveritare, të cilat i konsideron një kërcënim për sovranitetin e vendit. /