Gjermania godet një grup që dyshohej se po planifikonte sulme ndaj emigrantëve

Prokurorët federalë gjermanë kanë ndërmarrë një operacion kundër një celule të dyshuar ekstremiste djathtiste, e cila akuzohet se po planifikonte sulme të dhunshme, bënë të ditur autoritetet të mërkurën.

Në një varg bastisjesh në orët e hershme të mëngjesit, policia gjermane arrestoi pesë të dyshuar, të moshave ndërmjet 14 dhe 18 vjeçe, në landet Meklenburg-Vorpomern, Brandenbur dhe Hese, njoftoi Prokuroria Federale.

Grupi, të cilët ata akuzohen se i përkasin, e quan veten “Vala e Fundit e Mbrojtjes”, dhe dyshohet se ka planifikuar sulme kundër refugjatëve dhe kundërshtarëve politikë, raporton DPA.

“Pjesëtarët e kësaj organizate e shohin veten si vijë të fundit të mbrojtjes për ‘kombin gjerman’”… Objektivi i tyre është të rrënohet sistemi demokratik në Republikën Federale të Gjermanisë përmes akteve të dhunës”, thanë autoritetet.

Katër nga të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në organizatë terroriste, ndërsa një tjetër për mbështetjen e një organizate të tillë.

Prokuroria Federale ka përmendur, po ashtu, vrasjen, zjarrvënien dhe dëmtimin e pronës në mesin e akuzave.