Shkëmbimi i territoreve – a mund të kthehet kjo ide në tryezën e Trump? Përgjigjet Bolton

Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Donald Trump, John Bolton, ka folur për atë se a ka mundësi të kthehet ideja e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në administratën e re të Donald Trump

“Shikoni, ish-shefi im, James Baker, që ishte sekretar i shtetit gjatë administratës së George H. W. Bush, thoshte shpesh për Lindjen e Mesme se Shtetet e Bashkuara nuk mund të duan paqe më shumë sesa vetë palët. Natyrisht, çdo rregullim territorial duhet të ketë pëlqimin e plotë të të dyja palëve, Serbisë dhe Kosovës. Nëse njëra palë pranon dhe tjetra jo, atëherë nuk keni marrëveshje. Kjo është e vështirë. Kërkon vendosmëri politike nga të dyja palët dhe ka shkaktuar shqetësim në pjesë të tjera të Ballkanit”.

“Disa thonë se nëse ka një rregullim territorial midis Serbisë dhe Kosovës, mund të ketë edhe në zona të tjera. Unë nuk mendoj se ky është një shqetësim legjitim. Siç thashë, çdo palë duhet të bjerë dakord përpara se të ndodhin rregullime territoriale. Dhe vetëm sepse ndodh midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të thotë që duhet të ndodhë edhe diku tjetër. Kështu që mendoj se është mjaft e vështirë të arrihet një marrëveshje vetëm midis Serbisë dhe Kosovës, pa përfshirë gjithë Ballkanin dhe bërë gjërat më të komplikuara”, tha Bolton për A2CNN.

Por, a mendon Bolton se Trump mund ta rikthejë këtë propozim në tryezë?

“Mendoj se, duke pasur parasysh familjaritetin e tij me këtë çështje në fund të mandatit të tij të parë, ai mund ta shohë këtë si mundësi; tani që sapo është inauguruar, mund t’i japë një kredibilitet të ri. Nuk është afër fundit të mandatit, por është në fillim të tij. Prandaj, mendoj se nëse ai përfshihet, mundësitë për një zgjidhje janë më të mëdha. Nëse nuk përfshihet, atëherë, natyrisht, pasiguria do të vazhdojë”, tha Bolton.