Filipçe bën të ditur rikthimin e Viktor Petkov nga Znam tek LSDM

Lëvizje të reja në skenën politike maqedonase. Viktor Petkov, kryetar i Organizatës Komunale të partisë ZNAM në Kisella Vodë, ka vendosur të largohet nga kjo parti dhe t’i bashkohet Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM).

Lajmi është bërë i ditur nga LSDM-ja, e cila këtë zhvillim e cilëson si dëshmi se gjithnjë e më shumë njerëz po kthehen në radhët e saj.

Nga LSDM-ja akuzojnë liderin e ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, se i ka zhgënjyer anëtarët dhe votuesit e partisë, duke mos i realizuar premtimet për krijimin e një alternative të pavarur politike. Sipas socialdemokratëve, Dimitrievski i ka përdorur pritshmëritë e qytetarëve për interesa personale dhe afariste, ndërsa partinë e ka shndërruar në një instrument për dobësimin e opozitës.

LSDM-ja pretendon se ZNAM, e cila fillimisht ishte prezantuar si forcë korrigjuese dhe alternativë politike, gradualisht po e humb mbështetjen. Sipas tyre, largimet e deputetëve, këshilltarëve dhe tashmë edhe drejtuesve të organizatave komunale janë tregues të dobësimit të kësaj partie.

Socialdemokratët kritikojnë gjithashtu Platformën e paralajmëruar ZNAM 2.0, duke e cilësuar si vazhdimësi të premtimeve të parealizuara.

Në deklaratën e LSDM-së thuhet se dyert e partisë janë të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të angazhohen në luftën kundër, siç e quajnë ata, kriminalitetit të pushtetit dhe për një jetë më të mirë të qytetarëve.

LSDM-ja e përfundon mesazhin me thirrjen për bashkim dhe angazhim të përbashkët politik, duke e paraqitur veten si opozitën e vetme të pakontrolluar në vend.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo