Që nga fillimi i këtij viti deri më tani, mbi 94 për qind e njehsorëve të energjisë elektrike janë lexuar, tregojnë të dhënat e Elektrodistribucionit. Pjesa e mbetur prej 6 për qind, që lexohet periodikisht, përfshin njehsorë të vendosur në shtëpi pushimi, zona të largëta ose brenda objekteve të mbyllura që nuk përdoren çdo ditë.
Të dhënat mujore tregojnë se përqindja e njehsorëve të lexuar mbetet vazhdimisht në nivel të lartë dhe mesatarja mujore nuk bie nën 87 për qind. Kjo vlen edhe për muajt e verës, qershor, korrik dhe gusht, kur zakonisht faturat llogariten në mënyrë paushalle.
Qytetarët mund të kontrollojnë nëse njehsori i tyre është lexuar apo jo përmes faturës së energjisë. Nëse shënohet me simbolin “O”, bëhet fjalë për njehsor të lexuar, ndërsa simboli “M” tregon se shuma është përcaktuar në mënyrë paushalle.
Që nga fillimi i vitit, rreth 8.031 qytetarë kanë kërkuar korrigjime të faturave dhe ankesat e tyre janë pranuar. Sipas statistikave të kompanisë, në nivel mujor ankesa kanë paraqitur rreth 0,13 për qind e numrit të përgjithshëm të konsumatorëve.
Pritet avancim i mëtejshëm në këtë segment përmes zbatimit të paketës së rregulloreve evropiane të njohura si “Energjia e Pastër”. Bëhet fjalë për zbatimin e plotë të Ligjit për Energjetikë dhe Ligjit për Shfrytëzimin e Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë.
Rregulloret e përfshira në paketën “Energjia e Pastër”, ndër të tjera, synojnë përshpejtimin e tranzicionit energjetik dhe krijimin e kushteve për zhvillimin e tregjeve energjetike, si dhe ndërveprim më të madh ndërmjet kompanive dhe konsumatorëve. Një pjesë e këtyre masave parashohin zhvillimin e rrjeteve inteligjente energjetike dhe vendosjen e sistemeve të ashtuquajtura njehsorë inteligjentë.
Sipas informacioneve të caktuara, tashmë është përgatitur analiza teknike dhe ekonomike e të gjitha kostove dhe përfitimeve për tregun, si dhe për rritjen e efikasitetit energjetik nga vendosja e sistemeve inteligjente të matjes nga Elektrodistribucioni. Kjo analizë është obligim ligjor i kompanisë dhe i është dorëzuar Komisionit Rregullator për Energjetikë, si dhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.
Pas rekomandimit të KRRE-së, pritet që Qeveria të marrë vendim për vendosjen e sistemeve inteligjente të matjes, me ç’rast do të përcaktohet dinamika e implementimit nga operatori i sistemit elektrodistributiv.
Një pjesë e përdoruesve tashmë posedojnë njehsorë inteligjentë, ndërsa kompania ka investuar 45 milionë euro për instalimin e tyre dhe edhe 28,3 milionë euro shtesë në pajisje. Deri në fund të vitit 2030 është planifikuar të investohen edhe 40 milionë euro të tjera në projekte të këtij lloji.
Njehsorët inteligjentë do të mundësojnë planifikim dhe menaxhim më të mirë të sistemeve energjetike, si dhe shërbime me cilësi më të lartë për përdoruesit. Ata do të kenë gjithashtu rol thelbësor në tregun e energjisë gjatë epokës së tranzicionit energjetik.
Rëndësia e tyre lidhet edhe me krijimin e mundësive për integrimin e tregut vendor të energjisë elektrike me tregun e Bashkimit Evropian. Ky model pritet të kontribuojë në dekarbonizim më të madh dhe në rritjen e pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme në miksin energjetik të vendit, në përputhje me politikat dhe orientimet e Bashkimit Evropian.