Reagon Konjufca: Daçiq kërcënon me Prizrenin, Radoiçiqi ecën i lirë – Serbia s’mund të pretendojë paqe
Ky është postimi i plotë i tij:
Ambiciet e ripërtërira territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës u shfaqën hapur edhe një herë këtë javë, kur zëvendëskryeministri i saj, Ivica Daçiq, deklaroi në një tubim zgjedhor se flamuri serb “herët a vonë do të valëvitet mbi Prizren”, një qytet në jug të Kosovës. Një retorikë e tillë dëshmon se ambiciet territoriale të Beogradit janë larg së qenit një çështje e së kaluarës.
Vetëm dy ditë më vonë, Milan Radoiçiq – i cili kërkohet nga Interpoli për shkak të sulmit terrorist në Banjskë që ai e organizoi – u shfaq krah Danilo Vuçiqit në tubimin e partisë së Aleksandar Vuçiqit në Kragujevc; aty, Vuçiqi kërcënoi sërish pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Këto nuk janë provokime të izoluara. Ato nxjerrin në pah vazhdimësinë e një doktrine të rrezikshme politike: ekspansionizmin territorial në retorikë dhe pandëshkueshmërinë për agresion të armatosur në praktikë.
Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë sfidojnë hapur sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe organizatori i pranuar i sulmit vdekjeprurës terrorist në Banjskë mbetet i lirë, duke u shfaqur publikisht krah familjes së presidentit në vend që të përballet me drejtësinë.
Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë pa mëdyshje këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie. Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, e po ashtu as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë.