Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka inauguruar të premten një segment të ri të hekurudhës me shpejtësi të lartë që lidh Stambollin me kufirin bullgar, ndërsa gjatë udhëtimit të parë e ka drejtuar personalisht trenin.
Në kabinën e drejtimit ishte edhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila gjatë udhëtimit e pyeti presidentin turk nëse dinte të drejtonte edhe helikopterin.
“Po”, u përgjigj Erdogan, duke shkaktuar të qeshura te të pranishmit.
Segmenti i ri, i gjatë 153 kilometra, lidh Çerkezköyn me Kapıkulen, në kufirin me Bullgarinë, dhe është projektuar për shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.
Hekurudha është pjesë e projektit Halkalı–Kapıkule, i cili synon të përmirësojë lidhjet hekurudhore mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Erdogan deklaroi se përfundimi i projektit do ta shkurtojë kohën e udhëtimit me tren mes Halkalıt dhe Kapıkules nga rreth katër orë në një orë e gjysmë.
Sipas tij, linja e re do të lehtësojë lidhjen e qendrave industriale turke me tregjet evropiane, duke ndikuar në rritjen e tregtisë, eksporteve dhe turizmit.
Ndërtimi i projektit ka nisur në vitin 2019, ndërsa financimi sigurohet bashkërisht nga Turqia dhe Bashkimi Evropian.