Konfliktet mes të rinjve nisin në rrjetet sociale, Toshkovski paralajmëron masa për sigurinë në shkolla

Përleshjet mes të rinjve dhe përdorimi i armëve të ftohta po rikthejnë në vëmendje problemin e dhunës mes të miturve në vend. Vetëm gjatë muajve korrik dhe shtator janë raportuar disa raste në Shkup, ku të mitur janë përfshirë në përleshje fizike dhe sulme me mjete të mprehta. Masat për forcimin e mbikëqyrjes me kamera në shkolla dhe rikthimin e policëve të lagjeve do të jenë ndër prioritetet e së ardhmes, sipas ministrit të MPB-së, Pançe Toshkovski, me synim parandalimin e konflikteve mes të rinjve.

“Jam i bindur se ajo që po bëjmë me projektin „Qytet i Sigurt“, nëse pranohet gjerësisht nga komunat, dhe nëse e forcojmë mbikëqyrjen me kamera, veçanërisht në oborret e shkollave dhe në hyrjet e tyre, do të na mundësojë të kemi një mbikëqyrje shumë më të mirë se deri më tani. Nga ana tjetër, me rikthimin e policëve të lagjeve në të ardhmen, që është një nga reformat kyçe që Ministria duhet ta realizojë, mendoj se do ta përmirësojmë ndjeshëm sigurinë në mjedisin përreth shkollave dhe brenda tyre.” – Pançe Toshkovski – Ministër i Punëve të Brendshme.

Të rinjtë vlerësojnë se nevojitet angazhim më i madh institucional për garantimin e sigurisë së tyre. Edhe pse shumica hezitojnë të flasin para kamerave, ata theksojnë se konfliktet mes bashkëmoshatarëve, në shumë raste, nisin përmes rrjeteve sociale.

”Nuk mundet të del dhunues një i ri i cili është rritur me dashuri dhe iu kanë treguar vlerat morale që të ketë respekt jo vetëm për bashkëmoshatarët e tij por edhe për më të rriturit. Siç kalojnë gjeneratat më avancime ashtu edhe ne më pak dimë vlera për fat të keq dhe vlerësoj se çdokush duhet të punoje, jo vetëm institucionet por edhe personat që janë në qendrat edukative,” tha një studente.

”Vlerësoj se institucionet nuk bëjnë thuajse asgjë por edhe prindërit duhet të angazhohen më shumë pasi të rinjtë i lënë veten në celular dhe shohin gjëra të ndryshme,” tha një tjetër studente.

”Mendoj se varet nga ajo se si janë edukuar fëmijët nga prindërit dhe më pas zgjerohet në kontaktin e parë me fëmijë tjerë qoftë në foshnjorë, shkollë fillore dhe kështu ndikon gjatë gjithë jetës,” u shpreh një student.

Sipas të dhënave më të fundit të UNICEF-it, më shumë se dy të tretat e fëmijëve të moshës 1 deri në 14 vjeç në Maqedoninë e Veriut përjetojnë disiplinim të dhunshëm në shtëpi, i cili përfshin agresionin psikologjik dhe ndëshkimin fizik. Gjithashtu, bullizmi nga bashkëmoshatarët është ndër format më të shpeshta të dhunës mes të rinjve, ku 23% e të rinjve të moshës 13 deri në 15 vjeç kanë raportuar se janë bullizuar të paktën një herë gjatë muajve të fundit, me çka pastaj kalon në dhunë fizike.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo