Greqia ka kundërshtuar sërish marrëveshjen detare mes Turqisë dhe Libisë, këtë herë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, duke prezantuar një hartë, tha se marrëveshja shpërfill ishujt grekë, përfshirë Kretën, Rodosin, Karpathosin dhe Kason.
“Rregullat që qeverisin detet tona nuk mund të rishkruhen për t’iu përshtatur ambicieve të shteteve të veçanta. I ashtuquajturi Memorandum Turqi–Libi për përcaktimin e kufijve detarë përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare të detit. Është i paligjshëm. Është arbitrar. Dhe sfidon vetë gjeografinë”, deklaroi Mitsotakis.
Marrëveshja e vitit 2019, e miratuar javën e kaluar edhe nga parlamenti në Libinë lindore, sipas Athinës cenon të drejtat sovrane të Greqisë. Ankaraja i hodhi poshtë këto pretendime, ndërsa përfaqësuesi turk në OKB theksoi se hartat nuk përcaktojnë se kush ka të drejtë.
Në mbështetje të Greqisë janë shprehur Egjipti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Mitsotakis ngriti gjithashtu shqetësimin për sigurinë e lundrimit tregtar, pas fundosjes së një anijeje greke nga sulmet me dronë në Detin e Zi.