Mickoski: Patëm takim konstruktiv me studentët, i cili zgjati dy orë, për ushqimin e studentëve dhe dhënien e provimit të jurisprudencës

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me ecurinë e bisedimeve me studentët për lartësinë e kompensimit për ushqimin e studentëve dhe zgjidhjet e propozuara, deklaroi:

„Po, patëm takim në të cilin diskutuam për ushqimin e studentëve, por diskutuam edhe për dhënien e provimit të jurisprudencës. Mendoj se patëm një takim konstruktiv, i cili zgjati dy orë. Ne e shpjeguam propozimin e Qeverisë dhe vlerësojmë se ky propozim është një zgjidhje shumë më e mirë sesa ajo që kanë aktualisht, për çka u pajtuan edhe ata. Tani presim një përgjigje, na ishte premtuar se po atë ditë, deri në mbrëmje, do të kemi një “draft version” të asaj që ata do të komunikonin me kolegët, por nuk na e dërguan. Ja, sot është dita e dytë dhe shpresoj që sot ta marrim atë “draft version”, të cilin do ta komunikojnë me kolegët lidhur me atë që u diskutua në takim.“

Lidhur me propozimin për dhënien e provimit të jurisprudencës dhe nëse bëhet fjalë për propozimin që bëri të ditur ministri i Drejtësisë, kryeministri Mickoski shtoi:

„Po, shikoni, ajo që komunikoi ministri i Drejtësisë është ajo që ne si Qeveri e kemi përgatitur, sepse deri më tani, duhet ta pranoj, nuk ka pasur asnjë propozim. Madje, ato parti politike që sot përpiqen ta polarizojnë gjendjen në shtet mbi baza etnike, nuk kanë bërë asgjë më shumë se dy dekada.

Ne, si Qeveri, ndërmorëm këtë iniciativë dhe vlerësojmë se zgjidhja që ofrojmë, e cila do t’i dërgohet Komisionit të Venecias, është një zgjidhje që, nga njëra anë, mundëson respektimin e së drejtës për ta dhënë provimin në gjuhën në të cilën është përfunduar arsimi i lartë, përkatësisht të drejtën për ta përdorur gjuhën amtare dhe nga ana tjetër, siguron sundimin e së drejtës, sepse parimi “lingua franca”, përkatësisht përdorimi i një gjuhe në sistemin e drejtësisë, është në thelb rekomandimi kryesor në opinionin që Komisioni i Venecias ka dhënë për Ligjin për Gjuhët.“

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo