Gjykata Supreme ka shfuqizuar aktgjykimet e Gjykatës Themelore të Tetovës dhe Gjykatës së Apelit në Gostivar për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, ku më 8 shtator 2021 humbën jetën 14 persona. Lënda kthehet në Gjykatën Themelore të Tetovës për rigjykim dhe vendimmarrje.Vendimi është marrë më 22 tetor 2026, pas pranimit të kërkesave për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të formës së prerë, të paraqitura nga dy të akuzuarit, të identifikuar në dokument me inicialet F.B. dhe A.E.
Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit në Gostivar, të nëntorit 2025, ata ishin dënuar me nga tre vjet burg për veprën penale „Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme“. Sipas arsyetimit të Gjykatës Supreme, gjykatat e shkallëve më të ulëta nuk e kanë shpjeguar mjaftueshëm lidhjen shkak-pasojë ndërmjet veprimeve të të akuzuarve dhe aksidentit. Ato nuk kanë bërë një analizë gjithëpërfshirëse të provave të administruara dhe nuk kanë dhënë argumente të mjaftueshme për kontributin konkret të të akuzuarve në shkaktimin dhe përhapjen e zjarrit.
Gjykata thekson se në aktgjykime nuk është bërë një dallim i qartë nëse përgjegjësia e të akuzuarve lidhet me mos sigurimin e aparateve kundër zjarrit apo edhe me veprime të tjera që kanë ndikuar në shpërthimin e zjarrit. Gjithashtu, nuk është arsyetuar mjaftueshëm se mbi cilat prova është bazuar përfundimi se ata kanë vepruar si bashkëkryerës.Vërejtje të veçanta janë paraqitur edhe lidhur me vlerësimin e ekspertizave.
Gjykata Supreme vë në pikëpyetje faktin se nuk është pranuar propozimi i mbrojtjes që gjatë seancës kryesore të dëgjohej eksperti që kishte përgatitur ekspertizën në Gjermani.