Mbi 40 shkolla shqipe nisin vitin e ri mësimor në Britani, “Ardhmëria” mirëpret nxënësit

Përgatitjet për vitin e ri shkollor kanë përfshirë organizimin e mësimit, trajnimin e mësueseve dhe bashkëpunimin me prindërit, në funksion të ruajtjes së gjuhës shqipe te brezat e rinj të diasporës.

Mësimi i gjuhës shqipe ka rifilluar në mbi 40 shkolla shqipe në Londër dhe zona të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, ku fëmijët e familjeve shqiptare do të kenë mundësinë të mësojnë gjuhën e prindërve dhe të ruajnë lidhjen me prejardhjen e tyre

Në mesin e organizimeve që kanë nisur vitin e ri mësimor është edhe Shoqata “Ardhmëria”, e cila prej muajsh ka punuar për përgatitjen e procesit mësimor. Krahas organizimit të orëve mësimore, angazhimi ka përfshirë përgatitjen e materialeve, trajnimin e mësueseve të reja dhe koordinimin me prindërit e administratat e shkollave.

Një pjesë e stafit pedagogjik kontribuon vullnetarisht në këtë veprimtari, duke e bërë mësimin e shqipes një angazhim që kërkon përkushtim edhe jashtë orarit të zakonshëm të punës.
Sipas shoqatës, mbështetja e familjeve të mësueseve është gjithashtu e rëndësishme, veçanërisht për ato që, krahas përgjegjësive profesionale dhe familjare, angazhohen edhe në përgatitjen e mësimeve. Në këtë proces, rol kanë edhe bashkëshortët dhe familjarët që u qëndrojnë pranë mësueseve.

Përgatitjet për fillimin e vitit shkollor janë mbështetur edhe nga prindërit, të cilët gjatë muajve të verës kanë komunikuar me shoqatën për regjistrimin e fëmijëve dhe organizimin e mësimit.

Nisja e vitit të ri mësimor në këto shkolla shënon vazhdimin e përpjekjeve të komunitetit shqiptar në Britani për t’ua përcjellë gjuhën amtare brezave të rinj, përmes angazhimit të mësueseve, prindërve dhe organizatave të diasporës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo