AKI: Po tentohet privatizimi i stacionit të zjarrfikësve në Tetovë, po përgatitet vjedhja më e madhe e pronës publike

Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Tetovë ka akuzuar pushtetin komunal se po tenton të privatizojë stacionin e zjarrfikësve përmes një partneriteti publiko-privat, duke e cilësuar këtë si një nga rastet më të rënda të cenimit të pronës publike në qytet.

Sipas reagimit të AKI-së, këshilltarët e kësaj partie në Këshillin Komunal të Tetovës po zhvillojnë një betejë për të penguar, siç thuhet, “vjedhjen më të madhe të pronës publike që Tetova ka parë ndonjëherë pas rastit të Monopolit”.

Në reagim thuhet se përmes modelit të partneritetit publiko-privat synohet privatizimi i stacionit të zjarrfikësve, ndërsa vlera e projektit, sipas AKI-së, tejkalon 10 milionë euro, duke përfshirë dhënien e tokës publike dhe shpenzime nga buxheti komunal.

“Stacioni i zjarrfikësve tentohet të vidhet e të privatizohet, duke e maskuar këtë si partneritet publiko-privat. Më shumë se 10 milionë euro do të zhvaten përmes dhënies së tokës publike dhe zhvatjes së buxhetit komunal,” thuhet nga AKI-së.

Më tej, partia akuzon drejtuesit e Komunës së Tetovës se po e trajtojnë pronën publike si interes privat, duke theksuar se toka komunale u takon qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.

“Kjo pronë nuk është e tyre. Është e tetovarëve, e fëmijëve tanë dhe e brezave që vijnë. Çdo metër tokë publike që humbet sot është një mundësi më pak për të ardhmen e këtij qyteti,” theksojnë ata.

AKI u bën thirrje qytetarëve të mbështesin përpjekjet për mbrojtjen e pronës publike, duke e cilësuar këtë si një betejë për dinjitetin e Tetovës dhe duke përsëritur thirrjen: “Ndal vjedhjes së pronave publike!”, raporton Tetovasot.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo