Shkëndija U16 eliminon Bregallnicën dhe marshon në dy fronte, Ismail Ismaili: Karakteri i ekipit bëri diferencën
Shkëndija U16 vazhdon të konfirmojë formën e jashtëzakonshme edhe në kampionat, edhe në Kupën e Maqedonisë. Skuadra e drejtuar nga Ismail Ismaili ka siguruar kualifikimin në fazën e radhës të Kupës, pasi mposhti Bregallnicën e Shtipit me rezultatin 3:1, duke e eliminuar një nga ekipet më cilësore të kësaj grupmoshe informon Tetovasot.
Heroi i ndeshjes ishte Omer Xheladini, i cili realizoi dy gola, ndërsa një gol e shënoi Leard Salihi, duke vulosur një tjetër paraqitje bindëse të skuadrës së drejtuar nga Ismail Ismaili. Kjo fitore vjen pas një orari shumë të ngjeshur, me tri ndeshje të zhvilluara brenda gjashtë ditëve, çka e bën suksesin edhe më të madh.
Kjo ishte fitorja e dytë ndaj të njëjtit kundërshtar brenda vetëm një jave. Vetëm tri ditë më parë, kuqezinjtë kishin triumfuar edhe në kampionat në transfertë me rezultatin 2:4, duke dëshmuar epërsinë ndaj skuadrës nga Shtipi.
Pavarësisht një kalendari jashtëzakonisht të ngjeshur, ku brenda gjashtë ditëve zhvilluan tri ndeshje, futbollistët e rinj të Shkëndijës treguan freski, disiplinë taktike dhe karakter fitues, duke menaxhuar në mënyrë ideale ngarkesën fizike dhe psikologjike.
Trajneri Ismail Ismaili vlerësoi paraqitjen e futbollistëve të tij, duke theksuar se suksesi është fryt i punës së vazhdueshme dhe shpirtit luftarak të ekipit.
“Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si reagoi skuadra. Nuk është aspak e lehtë të zhvillosh tri ndeshje në vetëm gjashtë ditë dhe të ruash ritmin e lartë. Djemtë treguan karakter, disiplinë dhe dëshirë të madhe për fitore. Bregallnica është një kundërshtar shumë cilësor, por ne luajtëm me besim dhe e merituam plotësisht kualifikimin. I përgëzoj të gjithë futbollistët për angazhimin dhe sakrificën që dhanë në fushë.”
Me këtë sukses, Shkëndija U16 vazhdon të mbetet një prej skuadrave më konkurruese të gjeneratës së saj, duke dhënë sinjale të qarta se synimet janë të larta si në kampionat, ashtu edhe në Kupën e Maqedonisë.
Tetovasot do të vazhdojë të ndjekë nga afër ecurinë e talentëve kuqezi, të cilët po konfirmojnë cilësinë dhe potencialin e tyre në çdo ndeshje.