Drejtoria e Doganave: Është shkatërruar një grup kriminal ndërkombëtar i lidhur me trafikimin e paligjshëm të drogës, janë arrestuar pesë persona





Pas një hetimi të zhvilluar nga Njësia e Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, është zbuluar dhe shkatërruar një grup kriminal ndërkombëtar i lidhur me trafikimin e paligjshëm të drogës. Pesë persona janë arrestuar dhe ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
Aksioni filloi pas një informacioni të marrë nga Njësia e Inteligjencës pas së cilës, ekipet mobile të Njësisë për Operacione ndërmorën veprime operative dhe, në pikën kufitare Dojran, në dalje nga shteti, penguan një tentativë për trafikim të paligjshëm të 79 kg marihuanë, e cila ishte destinuar për tregun turk.
Marihuana u sekuestrua, ndërsa shoferi, shtetas i Bosnjë-Hercegovinës, u arrestua nga Njësia e Hetimeve, e cila në bashkëpunim me Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PP NKOK) filloi një procedurë të plotë parahetimore me qëllim zbulimin e të gjithë autorëve.
Gjatë procedurës parahetimore u konstatua se kamioni i drejtuar nga shoferi nga Bosnjë-Hercegovina kishte hyrë në Maqedoninë e Veriut i ngarkuar me profile hekuri, të cilat duhej t’i transportonte drejt Greqisë. Pas një marrëveshjeje paraprake me persona nga Maqedonia e Veriut, në një lokacion të paracaktuar u krye ngarkimi i marihuanës në kamion dhe më pas, kamioni u vulos me një vulë doganore që shoferi e kishte me vete.
Ai vazhdoi rrugën drejt Greqisë përmes pikës kufitare Dojran, ku u ndalua nga njësitë mobile.
Me këtë aksion, Drejtoria e Doganave konfirmon edhe një herë se, përmes veprimeve të fuqishme të inteligjencës dhe operacioneve, si dhe hetimeve të plota, po lufton në mënyrë sistematike kundër kriminalitetit.

Drejtoria e Doganave: Është shkatërruar një grup kriminal ndërkombëtar i lidhur me trafikimin e paligjshëm të drogës, janë arrestuar pesë persona

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo