Pezullohet përkohësisht vaksinimi me BCG në Maqedoninë e Veriut, pas raportimeve për reaksione të padëshiruara në Kroaci

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se Komisioni për Imunizim ka vendosur të pezullojë përkohësisht vaksinimin me BCG, pas informacioneve të publikuara në mediat kroate për reaksione të padëshiruara të lidhura me këtë vaksinë informon Tetovasot.

Sipas njoftimit, menjëherë pas publikimit të këtyre informacioneve, Komisioni për Imunizim zhvilloi mbledhje urgjente dhe kontaktoi Agjencinë për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED), për të verifikuar seritë e vaksinave që përdoren në Maqedoninë e Veriut, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për të njëjtin prodhues.

Autoritetet theksojnë se vaksina BCG mbetet e detyrueshme në vend, pasi Maqedonia e Veriut konsiderohet shtet me rrezik të lartë për tuberkuloz. Aktualisht, në Institutin për Tuberkuloz trajtohen 95 pacientë, ndërsa vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 83 raste të reja. Po ashtu, në Spitalin e Fëmijëve “Kozle” janë evidentuar 12 raste të reja të tuberkulozit gjatë vitit 2026.

Megjithatë, deri në marrjen e informacioneve të plota për seritë e vaksinës, cilësinë e tyre dhe lidhjen e mundshme me reaksionet e raportuara, Komisioni për Imunizim ka vendosur të shtyjë përkohësisht imunizimin me BCG.

Ministria bën të ditur se gjatë dhjetë viteve të fundit në MALMED është raportuar vetëm një rast i dyshuar i një reaksioni të padëshiruar pas vaksinimit me BCG. Bëhej fjalë për një absces në vendin e aplikimit të vaksinës, një reaksion i njohur dhe i përshkruar edhe në udhëzimin zyrtar të përdorimit të vaksinës.

Autoritetet shëndetësore theksojnë se vendimi është masë parandaluese dhe se publiku do të informohet menjëherë sapo të përfundojnë verifikimet e nevojshme informon Tetovasot.

Reagimi i plote:

Në lidhje me informacionet e publikuara në mediat kroate për reaksionet e padëshiruara nga vaksina BCG, Komisioni për Imunizim në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë u mblodh menjëherë.
Duke pasur parasysh se bëhet fjalë për të njëjtin prodhues, menjëherë u kontaktua Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED) dhe u kërkuan informacione lidhur me seritë e vaksinave që përdoren në vendin tonë.

Theksojmë se imunizimi me këtë vaksinë në vendin tonë është i detyrueshëm, duke pasur parasysh se vendi konsiderohet me rrezik të lartë për tuberkuloz.
Aktualisht, në Institutin për TBC janë 95 pacientë me tuberkulozë, prej të cilëve 83 janë raste të regjistruara gjatë këtij viti, ndërsa në Spitalin e Fëmijëve „Kozle“ në vitin 2025 janë evidentuar 15 raste, kurse në vitin 2026 janë evidentuar 12 raste të reja.

Në bazë të sa më sipër, Komisioni për Imunizim miratoi përfundim për shtyrjen e përkohshme të imunizimit me këtë vaksinë, deri në marrjen e informacioneve të plota lidhur me seritë, cilësinë e tyre dhe ndërlidhjen e tyre me shfaqjen e reaksioneve të padëshiruara.
Njëkohësisht, theksojmë se gjatë dhjetë viteve të fundit, në MALMED është pranuar vetëm një raportim për dyshim për reaksion të padëshiruar nga vaksina BCG (në gusht të vitit 2022), i cili kishte të bënte me shfaqjen e një abscesi në vendin e aplikimit të vaksinës, që si reaksion është përshkruar në udhëzimin për përdorimin e vaksinës.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo