Grabitet piceria në Zvicër, pronari shqiptar: Kisha frikë vajzën





Një grabitje e armatosur ka tronditur një piceri në Villmergen të kantonit Aargau në Zvicër, ku pronari shqiptar, Zelal Selimi, ndërhyri për të mbrojtur vajzën e tij. Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, kur një burrë i maskuar hyri në lokal dhe, nën kërcënimin e një thike, kërkoi paratë. Selimi, pasi kuptoi se grabitësi po kërcënonte vajzën e tij, hyri në piceri dhe u përlesh me të.

Sipas dëshmisë së Selimit, thika ndodhej vetëm 40-50 centimetra larg kokës së vajzës, e cila kishte nisur të bërtiste për ndihmë. Shqiptari arriti ta kapte grabitësin nga kyçi i dorës, t’ia përdredhte krahun pas shpine dhe t’i merrte thikën. Grabitësi u largua nga piceria, ndërsa Selimi e ndoqi jashtë, ku gjatë përleshjes pësoi lëndime të lehta në të dyja duart.

Autori tentoi të arratisej me një skuter elektrik, por u ndalua pak më vonë nga një polic jashtë detyrës. Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, në pranga përfundoi një 36-vjeçar serb nga rajoni. Autoritetet zvicerane po hetojnë rastin dhe po verifikojnë nëse grabitja lidhet me një tjetër sulm të ngjashëm, të kryer pak ditë më parë në një furrë buke në zonë.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo