Institucionet e mëdha nuk fillojnë me njerëzit që i drejtojnë sot. Ato kanë një histori, kanë njerëz që i kanë ndërtuar, kanë breza punonjësish, drejtuesish, profesorësh, administratorësh, imamësh e bashkëpunëtorësh që kanë lënë gjurmë në jetën e tyre.
Nga Mr. Eset Shaqiri
Që nga ardhja e Shaqir Fetait në krye të BFI-së, është krijuar një praktikë që të jep përshtypjen se institucioni duhet të kujtohet vetëm nga dita kur ai u instalua në pozitën drejtuese. Sikur para tij të mos kishte ekzistuar një institucion me histori, me struktura, me njerëz, me arkiv, me dokumente, me veprimtari, me kujtesë dhe me breza të tërë shërbyesish të fesë.
Natyrisht, BFI-ja nuk është themeluar me ardhjen e një kryetari të radhës pas një puçi klasik e shumë të shëmtuar. Ajo ka një histori që nuk mund të fshihet me një ndryshim administrativ, me një fotografi të re në faqen zyrtare, me një arkiv të zhdukur nga rrjetet sociale apo me një komunikim publik që sillet sikur gjithçka fillon sot. Një institucion fetar që respekton veten duhet ta respektojë edhe historinë e vet. Dhe historia e tij nuk përbëhet vetëm nga ndërtesat, vulat dhe dokumentet. Ajo përbëhet mbi të gjitha nga njerëzit që kanë punuar, shërbyer, mësuar, drejtuar dhe sakrifikuar për të.
Prandaj, ajo që ka ndodhur me kujtesën publike të BFI-së është shumë më tepër se një çështje teknike e komunikimit institucional.
Nëse materialet e periudhave të mëparshme hiqen nga platformat zyrtare, nëse arkivat digjitale fshihen, nëse fotografitë dhe dëshmitë e së kaluarës zëvendësohen, nëse emrat e njerëzve që kanë mbajtur poste të rëndësishme në këtë institucion zhduken nga kujtesa publike, atëherë nuk kemi të bëjmë më vetëm me një ndryshim të mënyrës së komunikimit. Kemi të bëjmë me një përpjekje për ta rishkruar historinë, të shkuarën e institucionit. Dhe kjo është shumë e rrezikshme. Sepse një institucion që fshin të kaluarën e vet, herët a vonë, humb edhe aftësinë për ta kuptuar veten.
BFI-ja ka pasur drejtues para Shaqir Fetait. Ka pasur reisë, myftinj, profesorë, drejtues të institucioneve arsimore, administratorë, punonjës dhe bashkëpunëtorë. Ka pasur njerëz që kanë bartur përgjegjësi të rëndësishme në periudha të ndryshme. Ata nuk janë “të jashtëm” vetëm pse sot nuk mbajnë më një post. Nuk bëhen të huaj vetëm pse kanë dalë nga administrata. Dhe aq më pak mund të trajtohen si njerëz që duhet të kërkojnë leje morale për të hyrë në një institucion të cilit i kanë kushtuar një pjesë të jetës së tyre.
Këtu qëndron edhe një absurditet tjetër! Në një institucion me histori të gjatë, ish-funksionari nuk mund të trajtohet si vizitor i zakonshëm. Ish-drejtuesi nuk është një i huaj që “viziton” institucionin. Ish-profesori nuk është një kalimtar që duhet të paraqitet si mysafir. Ish-administratori nuk është njeri që duhet të shpjegojë pse ka ardhur në një institucion ku ka punuar për vite.
Nëse një ish-reis shkon në BFI për të takuar një ish-koleg, një mik apo një bashkëpunëtor, kjo nuk duhet të prodhojë lajm. Nuk është lajm që “filani vizitoi BFI-në”. Nuk është lajm që “ish-funksionari vizitoi institucionin, apo, reisin”. Nuk është lajm që “profesorët e FSHI-së apo të Medresesë vizituan reisin”. Nuk është lajm që “imami vizitoi myftiun”. Këto janë marrëdhënie normale njerëzore dhe institucionale brenda një bashkësie që duhet ta njohë historinë e vet. Të shndërrosh çdo takim të tillë në lajm do të thotë, në mënyrë të pavetëdijshme ose të qëllimshme, t’i paraqesësh njerëzit e historisë së institucionit si të ardhur nga jashtë.
Rasti i Bahri Aliut i cili këto ditë ishte në Myftininë e Tetovës, është ilustrues. Një njeri që ka qenë reis, drejtor i Medresesë “Isa Beu” dhe profesor, nuk mund të paraqitet në komunikimin institucional sikur të jetë një person i largët që po hyn për herë të parë në një hapësirë që nuk i përket. Ai është pjesë e historisë së atij institucioni. Është në shtëpi të vet. Prania e tij aty nuk ka nevojë për legjitimim përmes një lajmi. Njeriu në shtëpi të vet nuk viziton askend. Thjesht, është pjesë e shtëpisë. Pikërisht këtu duhet të kuptohet dallimi ndërmjet vizitës së një të huaji në institucion dhe rikthimit të një njeriu në institucionin ku ka shërbyer.
BFI-ja nuk është pronë private e drejtuesit të radhës. Nuk është as hapësirë që i përket vetëm administratës aktuale. Është institucioni i Bashkësisë Fetare Islame dhe, në kuptimin më të gjerë, shtëpia institucionale e myslimanëve të këtij vendi. Prandaj, ata që kanë shërbyer në të nuk mund të shndërrohen në të huaj vetëm pse kanë përfunduar mandatin, janë pensionuar, janë larguar nga administrata apo nuk janë më pjesë e strukturave aktuale.
Një institucion serioz nuk i dëbon njerëzit e historisë së vet nga kujtesa. Përkundrazi, i ruan, i dokumenton dhe i nderon. Arkivi i tij duhet të jetë sa më i plotë, jo sa më selektiv. Faqet e tij zyrtare duhet të tregojnë historinë, jo vetëm të tashmen. Fotot e vjetra, dokumentet, aktivitetet, drejtuesit, profesorët, punonjësit dhe ngjarjet e rëndësishme nuk janë materiale të tepërta që mund të hiqen sa herë ndryshon administrata. Ato janë dëshmi të institucionit.
Nëse çdo drejtues i ri e fshin atë që ka bërë paraardhësi, atëherë pas disa dekadash nuk do të kemi më histori institucionale. Do të kemi vetëm seri mandatesh të shkëputura, secila duke pretenduar se ishte fillimi. Kjo nuk është mënyra se si ndërtohet një institucion. Një drejtues i mirë nuk matet me sa shumë arrin ta fshijë paraardhësin e vet. Matet me sa mirë arrin ta vazhdojë atë që është ndërtuar para tij, ta korrigjojë atë që nuk ka funksionuar dhe t’i lërë institucionit diçka më shumë sesa gjeti.
Prandaj, BFI-ja ka nevojë për rikthimin e kujtesës së vet institucionale. Ka nevojë për një arkiv të plotë, të hapur dhe të sistemuar. Ka nevojë që historia e saj të mos varet nga vullneti i drejtuesit të momentit i kompleksuar deri në tepe të kokës. Ka nevojë që ish-drejtuesit, ish-profesorët, ish-punonjësit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në jetën e saj të trajtohen si pjesë e historisë së saj dhe jo si njerëz të dyshimtë që shfaqen papritur në një institucion të huaj.
Sepse BFI-ja nuk është pronë e askujt. As e atij që e ka drejtuar dje. As e atij që e drejton sot. As e atij që do ta drejtojë nesër. Institucioni është më i madh se drejtuesi. Historia e tij është më e gjatë se mandati i drejtuedsit. Dhe kujtesa e institucionit nuk mund të fillojë me emrin e njeriut që sot ndodhet në krye, siç nuk mund të shlyhet ga kujtesa e institucionit as mënyra e pistë se si erdhi në krye.
Nëse një institucion fetar fillon ta harrojë të kaluarën e vet, nuk është më vetëm kujtesa që rrezikohet. Rrezikohet vetë ideja e institucionit. Dhe, dikush jo vetem qe po e kërkon por edhe po e stimulon këtë rrezikim – ekzistimin e institucionit.