Donald Trump i bëri thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës dhe karburanteve, duke vlerësuar se këto sulme po kontribuojnë në mungesën globale të karburantit.
Ukraina ka intensifikuar muajt e fundit sulmet me dronë me rreze të gjatë ndaj rafinerive ruse. Sulmet kanë ulur prodhimin e karburantit në Rusi dhe kanë shkaktuar mungesa të benzinës në të gjithë vendin. Kievi thotë se rafineritë janë objektiva legjitime ushtarake.
Çmimi mesatar i naftës dizel në SHBA, karburant i përdorur nga kamionët, trenat, anijet dhe makineritë bujqësore, të enjten për herë të parë kaloi 6 dollarë për gallon.
“Zelensky duhet të bëjë një gjë: duhet të ndalojë shkatërrimin e kapaciteteve ruse për prodhimin e karburantit dizel. Ne kemi folur me Zelenskyn për këtë. Ka shumë objektiva të tjera. Mos sulmoni objektet e karburantit dizel! Kjo i dëmton botës. Mungesa globale nuk shkaktohet nga Lindja e Mesme, por nga ajo që po ndodh në Rusi dhe Ukrainë”, tha Trump.
Ndërkohë, Rusia ka ulur parashikimin për prodhimin e naftës këtë vit në nivelin më të ulët në 17 vjet dhe ka rishikuar pritshmëritë për eksportet e karburantit për vitet 2026 dhe 2027 për shkak të luftës, sipas një draft-projeksioni qeveritar të parë nga Reuters.