Shkruan: Merxhan Jakupi
Një ndër kriteret dhe standardet e BE-së dhe Këshillit i Europës për integrimin dhe anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Serbisë, Bosnjës, Shqipërisë dhe Kosovës, është rishikimi i teksteve shkollore dhe qarqeve akademike mbi historinë e sundimit të Perandorisë Osmane gjatë pesë shekujve në Ballkan. Nga B.E. dhe Këshilli i Europës kërkohen fakte empirike dhe shkencore mbi Perandorinë Osmane në këto shtete.
Është formuar tashmë komisioni nga të dyja palët, BE-së dhe shtetet anëtare, për rishikimin e teksteve shkollore dhe të qarqeve akademike të këtyre shteteve të Ballkanit Perëndimor. Nga BE dhe Këshilli i Europës kërkohet heqja e gjuhës së urrejtjes, nacionalo-patriotizmit, nacionalo-romantizmit, klisheve, stereotipeve dhe mitizimit të rremë të historianëve dhe akademikëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Shumica e historianëve dhe qarqeve akademike të shteteve të Ballkanit, sundimin e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik e përshkruajnë si epokë e errësirës, terrorit, gjenocidit. Këta historianë dhe akademikë kanë helmuar tekstet shkollore, në të cilat diskursi dhe narrativa e tyre thekson se këto hordhi, barbarë mongolë, na shkëputën nga matrica dhe trungu amë. Sipas tyre, gjithë mëkati për mosanëtarësimin në BE i adresohet Perandorisë Osmane.
Historiani dhe studiuesi i çështjes së Ballkanit në Perandorinë Osmane, Dimitri Obolensky mbështet tezën se, gjatë sundimit të Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik, në krahasim me luftërat e përgjakshme në Europën Perëndimore, Ballkani ishte një oazë e paqes.
Europa, nga Mesjeta, ka pasur luftëra të përgjakshme, brutale. Për pesë shekuj, këto luftëra kanë qenë tradicionale, duke e përgjakur historinë e Kontinentit. Luftërat e shizmave dhe sektare mes katolikëve dhe protestantëve. Inkuizicioni spanjoll, luftërat e Napoleon Bonapartit dhe deri në dy luftërat e shekullit XX. Gjatë këtyre shekujve, shkruan ky historian, popujt e Ballkanit kishin statut quo. Funksiononte “sistemi i mileteve“ dhe sipas këtij statuti, komunitetet e krishtera dhe hebreje kishin gjykatat e tyre të posaçme.
Shumë historianë dhe studiues europianë pajtohen me tezën dhe narrativën e “Pax Ottoman“, që nënkupton se e pranojnë se vendet e Ballkanit nuk kanë pasur luftëra të përgjakshme, siç kishte në Europën Perëndimore. Gjatë sundimit të Perandorisë Osmane, popujt e Ballkanit nuk ishin pjesë e transformimit, të evolucionit, zhvillimit të Rilindjes Europiane, të Iluminizmit, shpikjes industriale dhe teknologjisë.
BALLKANI IMAGJINAR I MARIA TODOROVËS
Një ndër studiueset brilante të çështjes së Ballkanit gjatë sundimit osman është Maria Todorova nga Bullgaria. Kjo studiuese ka bërë analiza dhe studime të thella për historinë e Ballkanit gjatë sundimit të Perandorisë Osmane.
Edhe kjo studiuese konfirmon se Ballkani, përgjatë sundimit osman, ka qenë oazë e paqes. Kjo studiuese shkruan se popujt e Ballkanit nuk u shkëputën dhe u ndanë nga matrica europiane gjatë sundimit të Perandorisë Osmane. Ndarja filloi nga Shizma e Madhe më 1054, mes dy perandorive të krishtera, lindore dhe romako-katolike. Nga kjo ndarje, popujt e Ballkanit ishin pjesë e Konstandinopojës, të Perandorisë Bizantine.
Kjo studiuese, në librin “ Ballkani imagjinar”, thekson se Ballkani, edhe para ardhjes së Perandorisë Osmane, ishte si pjesë e Europës Juglindore e prapambetur, e stagnuar. Maria Todorova shkruan se paradoksi dhe absurdi i historianëve ballkanas ishte një utopi dhe iluzion, duke menduar se edhe Ballkani ishte i zhvilluar si pjesa e kontinentit europian. Ata nuk e dinë se pjesa dërrmuese e popujve të Ballkanit jetonin si në periudhën e gurit. Perandoria ndërtoi vendbanime urbane, qytete me qendra tregtare, artizanate.
Këta pseudoakademikë dhe pseudohistorianë nuk e pranojnë se struktura e Perandorisë Osmane solli ndryshime të mëdha. Kjo perandori solli dhe një qytetërim. Me marrjen nën ombrellë të vendeve ballkanike, koncepti dhe struktura ishte heqja e kufijve, lëvizja pa kufi e njerëzve, tregtisë dhe kapitalit. Kurse në Europën Perëndimore çdo provincë dhe fshat kishte barriera, dogana dhe kontrolle të rrepta.
Ana tjetër e medaljes ishte se të krishterët kishin taksa të mëdha dhe monopolin dhe ishin të diskriminuar. Privilegjet i kishin popujt osmanë, të islamizuar. Kjo studiuese vazhdon të përshkruajë periudhën e Ballkanit nën sundimin bizantino-ortodoks lindor, sistemin centralist, despotik.
Studiuesja dhe historiania Maria Todorova thekson se popujt e Ballkanit mbetën të ndarë nga matrica europiane, duke krijuar divergjenca kulturore, spirituale të një qytetërimi bizantino-ortodoks. Kjo studiuese bën krahasime mes modelit dhe diskursit politik të dy perandorive.
Në këtë drejtim, ajo përmend modelin dhe diskursi politik bizantino-ortodoks lindor. Ky diskurs dhe impakti politik nënkupton një pushtet absolut, despotik dhe centralist. Këtë model dhe diskurs politik e trashëgoi dhe Rusia gjatë sundimit të carëve rusë. Ky sistem centralist, nënkuptonte se mbi 90 për qind e popullit ishin bujkrobër, kurse elita e hierarkisë mbante pushtetin e centralizuar.
Në Europën Perëndimore, nga Mesjeta, nën autoritetin e Mbretërisë së Shenjtë të Papatit, kisha ishte e ndarë. Mbretëritë dhe principatat kishin institucione të pavarura dhe pluralizëm politik dhe vetëqeverisje lokale.
Edhe pse BE dhe Këshilli Europian kanë kërkuar që vendet e shteteve të Ballkanit Perëndimor të rishqyrtojnë historinë e Perandorisë Osmane, të indoktrinuar nga historiografia tradicionale, e shkruar sipas diktatit të regjimeve, për fat të keq, akoma vazhdon gjuha e urrejtjes, miteve të rreme me stereotipe, hipoteza, klishe dhe fyese.
Duhet të theksojmë se te një pjesë e historianëve shqiptarë vazhdon akoma gjuha e urrejtjes, nacionalo-patriotizmit, nacionalo-romantizmit dhe miteve të rreme.
Ata vazhdojnë ta portretizojnë periudhën e sundimit osman si një epokë barbare e të errët. Një pjesë e tyre kanë trashëguar dhe glorifikuar nga historiografia e periudhës së Shqipërisë komuniste dhe të periudhës së ish-Federatës Jugosllave.
Kemi dhe historianë të cilët kanë filluar ta ndryshojnë diskursin dhe narrativën ndaj Perandorisë Osmane. Këta historianë janë shkëputur nga dogmat e nacionalo-patriotizmit, të doktrinave e historiografisë tradicionale dhe dogmatike. Këta historianë pragmatikë kanë ndryshuar diskursin, duke e paraqitur historinë e Perandorisë Osmane në Ballkan në mënyrë empirike, shkencore dhe objektive.